Një zjarr i fuqishëm ra në Parkun Kombëtar të Krastës në Elbasan. Për shuarjen e tij u angazhuan jo vetëm zjarrfikëset e Elbasanit, por edhe ato të qyteteve fqinje.
Pylli me pisha në Krastë të Elbasanit shpërtheu në flakë.
Vatra u pa mesditën e kësaj të hëne në majën e kodrës.
Për pak minuta zjarri u përhap me shpejtësi, ndihmuar nga thatësira dhe era.
Në vendin e ngjarjes shkuan punonjës të repartit zjarrfikës, emergjencat civile në bashki dhe ato të shërbimit pyjor.
Zjarrfikëset e patën të pamundur të depërtonin deri në vatër për shkak të terrenit të thyer. Ndaj për të fikur flakët u punua me mjete rrethanore, kazma, lopata dhe pompa dore.
Në ndihmë të repartit zjarrfikës në Elbasan ishin edhe zjarrfikëse të qyteteve fqinje. Kjo vatër konsiderohet e rrezikshme, jo vetëm për faktin se po dëmton kurorën e gjelbër, por edhe pse aty pranë ndodhen depot e ujit që furnizojnë gjysmën e qytetit të Elbasanit.
Kurse në disa gropa dhe tunele mendohet se ka edhe municione të hedhura gjatë vitit 1997 të cilat përbëjnë rrezik shpërthimi.
Krasta konsiderohet mushkëria e qytetit të Elbasanit. Por gjatë viteve të fundit fatkeqësisht është goditur nga disa zjarre. Më i madhi ishte ai i gushtit të vitit 2017 kur pothuaj e gjithë kurora u përfshi nga flakët duke shkaktuar dëme të pariparueshme./ABC News Albania 24/7