El Paso, qytetarët të ndarë për vizitën e Presidentit Trump

schedule14:15 - 7 Gusht, 2019

schedule 14:15 - 7 Gusht, 2019

Ka marrë tiparet e një vizite kontradiktore ajo që presidenti Donald Trump do të zhvillojë në El Paso, qytet ku të shtunën e kaluar u vranë mbi 20 persona. Komuniteti është i ndarë sa i takon vizitës, me një pjesë që e konsideron Trump fajtor për dhunën dhe një tjetër që mirëpret ardhjen e tij.

Presidenti amerikan Donald Trump po bëhet gati të vizitojë El Pason, qyteti me shumicë hispanike, që ka ndjerë më shumë se të gjithë retorikën e tij për një pushtim emigrantësh.

Vizita e kreut të shtetit konsiderohet kontradiktore, nisur nga fakti se El Paso ka qenë në vijën e frontit të administratës Trump sa i takon fluksit të emigrantëve, që synojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit meksikan.

Vetëm në janar, Trump e quajti El Pason qytetin më të rrezikshëm të vendit, pikërisht për shkak të pranisë së theksuar të hispanikëve. Megjithatë, edhe pse nuk është në një mendje me të, kryebashkiaku i qytetit, Di’ Margo dhe disa banorë kanë deklaruar se do ta mirëpresin presidentin.

“Kjo nuk është një vizitë politike. Pastaj, ai është presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe në këtë aspekt unë do të përmbush detyrat e mia si kryebashkiak. Pra, do të takohem me të për të diskutuar mbi nevojat e këtij komuniteti”, ka deklaruar Margo.

Ndërkohë, disa aktivistë që ditën e hënë mbajtën një ceremoni në nder të viktimave të sulmit në qendrën tregtare Uollmart, ia vënë fajin presidentit për gjakderdhjen. “Ai është bashkëpunëtor i dhunës dhe terrorit që po shohim”, ka deklaruar 26-vjeçarja Rejçëll Çek. Ndërsa Hames Peinado, me prejardhje latine dhe kryetar i një grupi për të drejtën e posedimit të armëve, vlerëson se vizita e presidentit është mëse e përshtatshme. Megjithatë, ai ka shprehur shpresën që Trump ta shfrytëzojë rastin për të përdorur një gjuhë më diplomatike, në një kohë kur El Paso po vajton.

“Le ta lëmë politikën mënjanë, sepse në këto momente duhet të bëhemi të gjithë bashkë”, ka thënë Peinado. Ish-kongresmeni i Teksasit, Bet Ou Rurk, lindur në El Paso dhe që kërkon të kandidojë në presidencialet e vitit të ardhshëm, i tha të hënën presidentit që të mos qasej.

Por të martën, Shtëpia e Bardhë përveç se konfirmoi vizitën në El Paso bëri të ditur se kreu i shtetit do të vizitojë edhe Dejtonin, qytet ku të dielën u vranë 9 persona në një masakër të ngjashme me atë të Uollmart.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!