Efektivët e komisariatit nr.2 në Tiranë kanë arrestuar pasditen e së martës Ilir Selmanin, i dyshuar për vrasjen e Santjago Malkos në gusht të vitit 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në kryeqytet. Malko njihej si person i afërt i Ervis Martinajt. Bashkë me Selmanin është arrestuar edhe një shoku i tij. Për të njoftohet se nuk ka akuzë, por thjesht është ndaluar.
Kapja e Selmanit është finalizimi i operacionit policor të koduar “Gjurmimi”. Sipas asaj që thotë policia, pas një pune, disajavore me metoda speciale të hetimit, është bërë e mundur kapja e 35-vjeçarit , i cili konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë.
Arrestimi i Ilir Selmanit është bërë i mundur në rrugën “Endri Keko”. Selmanit, në momentin e kapjes nga Policia, i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak.
35-vjeçari është një nga personat e dyshuar të ngjarjes së ndodhur me datë 27.08.2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri Santjago Malko.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmimi”, për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.
Operacioni, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Finalizimi i operacionit, pas një pune disajavore, me meoda speciale të hetimit.
Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit S. M., ndodhur në gusht të vitit 2019.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit, gjatë mesditës së sotme kanë finalizuar operacionin të koduar “Gjurmimi”, në kuadër të të cilit, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në rrugën “Endri Keko”, u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit Ilir Selmani, 35 vjeç, banues në Tiranë.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasit Ilir Selmani, në momentin e kapjes nga Policia, i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak.
Ky shtetas është një nga personat e dyshuar të ngjarjes së ndodhur me datë 27.08.2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri shtetasi S. M.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe aktivitetit kriminal të shtetasit Ilir Selmani.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Të akuzuarit dhe rolet:
Leonard Duka dhe Erlis Duka, vëllezër me njëri-tjetrin, janë pronarë të një lokali në zonën e “Freskut” ku dyshohet se është thurur plani për vrasjen e Malkos. Të dy dyshohet se ndoqën dhe ekzekutuan më 27 gusht në rrugën ‘Xhanfize Keko’, Santiago Malkon, ish-oficer policie.
Ata kanë lëvizur me dy makina, konkretisht në automjetin tip ‘Scoda Roomster’ kanë qenë të ulur këta persona Ilir Selmani, i cili drejtonte këtë automjet, në vendin e parë Blendi Tetaj, i cili është tashmë i arrestuar me akuzën për moskallëzim krimi, Leonard Duka dhe Ervis Metani, ky i fundit i larguar pak minuta para se të ndodhte ngjarja.
Këta persona kanë bërë disa lëvizje. Ndërkohë që në automjetin tip ‘Volkswagen’, golf janë ndodhur Aleksandër Maxhaku, Oltian Loga, Dritan Aga dhe Fatmir Hyseni. Ata fillimisht kanë lëvizur nga zona e Freskut, pasi kanë darkuar në fakt, në drejtim të banesës së Santiago Malkos pas shumë ecejakesh në atë zonë dhe disa rrugica.
Në dosjen hetimore thuhet se Leonard Duka i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre. Ata janë kthyer dhe janë ndaluar në rrugën ‘Xhanfize Keko’ ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko. Këtë dëshmi e ka dhënë shtetasi i arrestuar Blendi Teta, i cili nuk është gjendur në momentin e ngjarjes që ishte larguar pak minuta para ngjarjes dhe ka qenë i fshehur në shtëpinë e bashkëjetueses së tij. Ndërkohë që Ervis Metani rezulton i përfshirë vetëm për faktin se automjet ‘Golf 5’ është në pronësi të këtij shtetasi.
Sa i përket motivit, Santiago Malko ka pasur një debat dhe një konflikt të hershëm me Leonard Dukën, i ka kërcënuar me armë babain dhe dy kushërinj. Megjithatë nuk është ky motivi përfundimtar. Prokuroria është duke hetuar në disa pista, si konflikte për shkak të trafikut të drogës apo ngjarje të tjera kriminale.
Gjithashtu prokuroria e Tiranës më herët ka hetuar rreth një ngjarje të rëndë të ndodhur së fundmi në qytetin e Durrësit. Megjithatë janë edhe mjaft pista të tjera të hapura që janë duke u verifikuar për të arritur edhe në një konkluzion final lidhur me arsyet se përse këta persona vendosën të ekzekutonin Santiago Malkon.