44 vjeçari Jorgo Leku i ekstraduar nga Greqia në vendin tonë është dënuar përjetësisht në mungesë nga Gjykata e Posaçme për vrasjen e babë e bir në Elbasan në 2012-ën, Nezir e Gentjan Beqirit. 44 vjeçari i njohur edhe me emrin Olsi Leka dhe me një tjetër identitet grek, u dënua në mungesë në prill, bashkë me Ardjan Çapjan dhe Florenc Çapjan.
Fillimisht, dosja e vrasjes së babë e bir po hetohej nga Prokuroria e Elbasanit, por më pas kaloi në SPAK, pasi të akuzuarit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal. Po për këtë dosje, Gjykata e Posaçme dënoi me 15 vite heqje lirie bashkëpunëtorin e drejtësisë Ervis Bardhin që mori edhe pjesë në krimin e ndodhur 11 vite më parë.
Nga 25 vite burgim u dha për Klaidi Dokoli dhe Etien Çani. Prokuroria akuzon Jorgo Lekun si organizator të kësaj vrasjeje pasi kishte marrë porosinë nga Çapajt, me të cilët kishte lidhje familjare nga ana e bashkëshortes. Gentjan dhe Nezir Beqiri u vranë në 12 gusht të vitit 2012 dhe sipas asaj që Ervis Bardhi deklaroi para prokurorëve në statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, krimi është kryer nga ai dhe Olsi Leku.
Të dy ata u ngjitën në shtëpinë e Gentjan Beqirit mëngjesin e 12 gushtit pasi nëna e tij kishte dalë të bënte pazarin, ndërsa në shtëpi mund të futeshin vetëm personat e njohur sepse familja i trembej hakmarrjes nga fisi Çapja, pasi Beqiri akuzohej se kishte ekzekutuar Sokol Çapjan./abcnews.al