Ekzekutohet vrasësi serial amerikan në Florida, i 17-ti për 2023

schedule09:41 - 4 Gusht, 2023

schedule 09:41 - 4 Gusht, 2023

Një vrasës serial u ekzekutua ditën e djeshme në Florida. Ekzekutimi i tij u krye në burgun Raeford. James Barnes u shpall i vdekur në orën 18:13. Ai ishte 61 vjeç.

Ai nuk kërkoi një afat, nuk donte të bënte ndonjë deklaratë të fundit, nuk kërkoi një vakt të fundit dhe nuk kishte vizitorë. James Barnes u burgos në vitin 2005, duke vuajtur një dënim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij në vitin 1997.

Në atë kohë ai ishte konvertuar në fenë islame. Ndërsa agjëronte gjatë Ramazanit dhe pretendonte të pastronte ndërgjegjen e tij, ai pranoi  në burg se kishte përdhunuar dhe vrarë infermieren 41-vjeçare Patricia Miller në vitin 1988. Për vrasjen e saj, ai u dënua me vdekje.

Sipas rrëfimit të tij, Barnes hyri nga dritarja e dhomës së gjumit të Millerit në Melburn, Florida në vitin 1988. Pasi e vrau, ai i vuri zjarrin shtratit të saj për të mbuluar krimin dhe iku.

Deri në rrëfimin e tij, vrasja e saj ishte e pazbardhur.

“E vrava që të mos kishte asnjë dëshmitar apo ankesë kundër meje”, ka shkruar ai në një letër.

Vrasja e gruas së tij

Më 11 dhjetor 1997, Barnes mbyti gruan e tij, Linda Barnes, në shtëpinë e saj. Pak ditë më parë ndaj tij ishte vendosur masa e ndalimit dhe i ishte ndaluar të afrohej Lindës apo shtëpisë së saj.

Pasi e vrau, Barnes fshehu trupin e gruas së tij në një dollap dhe qëndroi në shtëpi. Një ditë më vonë, policia e arrestoi dhe e akuzoi për vrasjen e saj.

Dy vrasjet i ka rrëfyer në një emision televiziv

Në vitin 2010, Barnes u intervistua nga regjisori gjerman Werner Herzog, i cili bëri serialin televiziv On Death Row, nga një burg në Florida. Gjashtë javë pas intervistës, Barnes i dërgoi një letër regjisorit në të cilën ai rrëfeu se kishte vrarë Chester Wetmore dhe Brenda Fletcher.

Barnes pretendoi se kishte një listë të detyrave që donte ta bënte përpara vdekjes së tij. Një prej tyre ishte zbardhja e të gjitha krimeve të pazbardhura që kishte kryer.

Sipas Barnes, Wetmore ishte një narkoman, tashmë i shpallur i zhdukur, në rrugë për një kohë të gjatë dhe i ekstraduar. Ai pretendoi se Wetmore hyri në makinën e tij. Barnes e ndoqi dhe e vrau duke e qëlluar me pushkë.

Më pas së bashku me dy bashkëpunëtorë e varrosën trupin e tij.

Gjithashtu, Fletcher ishte një prostitutë, pa familje, e varur nga kokaina. Ai e akuzoi atë se i kishte vjedhur portofolin dhe kërkonte t’i kthente patentën e shoferit. Fletcher mohoi ta bënte këtë dhe e vrau atë. Trupi i saj u zbulua në një kanal kullues të mbushur me ujë në qarkun Brevard. Fletcher u rendit si e zhdukur në kohën e vrasjes së saj.

Intervista u transmetua në episodin e parë të serialit në vitin 2012. Autoritetet e policisë po hetonin ende pretendimet e tij për vrasjet e Wetmore dhe Fletcher. Por në fund ai nuk u akuzua kurrë.

Në fund të korrikut, Federata e Priftërinjve Katolikë të Floridës i kishte kërkuar guvernatorit republikan të shtetit, Ron DeSandis, që të mos ekzekutonte Barnes. Ky është ekzekutimi i pestë i një dënimi me vdekje në Florida këtë vit dhe i 17-ti në SHBA.

Të martën, 45-vjeçari Johnny Johnson u ekzekutua në shtetin e Misurit për vrasjen e një vajze 6-vjeçare në vitin 2002.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!