Është ekzekutuar para rezidencës së tij në New York, kreu i familjes mafioze Gambino, Frank Kali. Sipas mediave amerikane kjo është vrasja e parë e këtij niveli në ambientet e krimit të organizuar në më shumë se 30 vjet, në New York.
Italo-amerikani Frencesko “Frank” Kali, kreu i familjes mafioze Gambino, i konsideruar dhe si ndërmjetësuesi i Coza Nostra përtej Atlantikut, u ekzekutua në një pritë para rezidencës së tij në New York.
53-vjeçari ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Sipas mediave amerikane bëhet fjalë për vrasjen e parë në ambientet e krimit të organizuar në New York, në më shumë se 30 vjet.
Kali është qëlluar të paktën me gjashtë plumba, sipas dëshmitarëve. Vrasësi, para se të largohej nga vendngjarja me një automjet blu, i ka kaluar dhe njëherë sipër viktimës. Menjëherë pas të shtënave familjarët e tij kanë dalë në rrugë dhe janë parë duke qarë. Ndërsa policia ende nuk ka arrestuar asnjë person në lidhje me këtë vrasje.
Ajo e Gambinove është një nga familjet më të rëndësishme në botën e krimit të organizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja ishte në qendër të kronikave sidomos në kohën kur drejtohej nga John Goti, i cili ndërroi jetë në burg në vitin 2002./abcnews.al