Emisioni VETTING
Ekzekutimet mafioze prej 20 marsit kanë përfshirë disa qytete të vendit. Bandat kriminale duket se janë në “fushatë’ dhe po ngutën që të lajnë hesapet mes tyre. Krimet e ndodhura gjatë këtyre 25 ditëve në Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër përveçse prishjes së pazareve të drogës dhe hakmarrjes kanë edhe si motiv politikë, duke qenë se vendi ishte në fushatë zgjedhore. Por mbarimi i saj nuk e ka zbehur aspak egërsinë e krimit i cili ka marrë revansh, ndërsa agjencitë e sigurisë në shumicën e ngjarjeve nuk kanë mundur të identifikojnë autorët edhe pse pistat janë të njohura dhe bëhen publike brenda disa orëve.
Në 20 mars në Durrësi u vra Edmond Koçi, i njohur me nofkën Mond Çekiçi. Një personazh mjaft i njohur në qytet pasi dyshohej që ka qenë pjesë e ish-bandës së Durrësit, i dënuar më parë edhe për armëmbajtje pa leje, i përfshirë edhe në trafik droge. Ai u ekzekutua në makinën e tij e cila drejtohej nga shoferi. Atyre i është prerë rruga nga një tjetër mjet nga ku kanë dalë dy persona të cilat kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi duke e lënë të vdekur në vend 40-vjeçarin. Një ekzekutim i cili prish shumë balanca në qytet dhe frika më e madhe është se mund të pasohet nga të tjera ngjarje të rënda.
“Edmond Koçi ishte një lojtar i fortë në Durrës. Pas shpalljes në kërkim të Plarent Dervishajt dhe Lulzim Berishës duket se njeriu i tyre në hije ishte Edmond Çekiçi. Ai ishte një personazh që ishte skeduar disa herë për ngjarje të rënda, nuk kishte pasur asnjëherë akuzën zyrtare si anëtar i bandës së Durrësit. Por të gjitha skedimet e policisë flisnin hapur për një bashkëpunim të ngushtë të tij me Lulzim Berishën dhe Plarent Dervishajn.
Ishte i përfshirë edhe në fushatën elektorale. Kishte kapacitet të madh financiar. Kishte kompani në emër të tij, gruaja ishte bashkëpronare në një televizion, qarkullonte shumë para. Grupi kundërshtar që dyshoj dhe mendoj se është nga Durrësi e ekzekutoi atë jo vetëm për të zgjeruar territorin, jo vetëm për të prishur balancat në prag të zgjedhjeve por edhe për të lënë grupin tjetër kundërshtar pa një njeri kyç në Shqipëri” tha gazetarja Klodiana Lala./ db/ Abcnews.al