Ekzekutimi i Hekuran Billës, autorët e qëlluan me 11 plumba, kamerat fiksojnë makinën shoshë

schedule08:28 - 12 Qershor, 2020

schedule 08:28 - 12 Qershor, 2020

Hekuran Billa, 40-vjeçari i ekzekutuar një natë më parë në zonën e Komunës së Parisit është qëlluar me 11 plumba silenciator, të cilat janë gjendur në automjetin e tij.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se kamerat e sigurisë të ndodhura në zonë kanë fiksuar lëvizjet e automjetit të autorëve tip Benz i vjedhur në qytetin e Kukësit pikërisht nga është edhe origjina e viktimës, ndërsa targat e mbivendosura ishin vjedhur nga një automjet tip Renault në Lezhë.

Kamerat gjithashtu kanë fiksuar edhe lëvizjet e fundit të viktimës dhe në foton e siguruar nga ABC News duket makina e tij e bërë shoshë, kur trupi i tij nuk ishte nxjerrë ende nga automjeti.  Ndërkohë po vazhdon këqyrja e kamerave për të parë nëse është arritur të regjistrohet momenti i ekzekutimit.

Pas vrasjes gjakftohtë autorët u larguan nga vendngjarja, ndërkohë që vetëm pak momente më pas u gjet në Pezë automjeti i djegur tip Benz që dyshohet se i përket atyre.

LEXO EDHE: EMRI / Ekzekutimi mafioz në Tiranë, ky është 40-vjeçari i vrarë, policia jep detajet

Viktima kishte ardhur në Shqipëri vetëm pesë ditë më parë, nga Belgjika.

Pista kryesore e ngjarjes është e ajo e hakmarrjes për shkak se në vitin 2006, ai kishte vrarë një person në Angli ku qëndronte si emigrantë.

Billa u ekstradua nga Anglia në Shqipëri për të vuajtur dënimin, për t’u liruar një vit më parë nga burgu i Fushë Krujës.

Ai ka qenë i akuzuar edhe për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Hekuran Billa ishte pronar i disa bizneseve në fushën e tregtisë së automjeteve, në fushën e shërbimit ndaj mjeteve të transportit duke përfshirë gjithë sektorin e mekanikës dhe kishte në pronësi edhe një dyqan këpucësh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!