Ekzekutimi i babë e bir, përplasen në gjykatë i penduari dhe Ardian Çapja. Bardhi zbardh takimet: Si e porositën vrasjen

schedule15:55 - 1 Qershor, 2022

schedule 15:55 - 1 Qershor, 2022

Është zhvilluar sot seanca për vrasjen e babë e bir Gentian e Nezir Beqirit në Elbasan në 2012. Gazetari Ermal Vija raporton se i penduari i drejtësisë  Ervis Bardhi teksa iu është përgjigjur pyetjeve të avokatëve të Ardian Çapjes, ka treguar detaje për takimet që ka bërë me Ardian e Florenc Çapjan, derisa mori porosinë për ekzekutimin e babë e bir.

Gjatë seancës ai tregoi si ishte takuar tek rrugica e shtëpisë dy herë me Ardian dhe Florenc Capjan.

“Herën e tretë u takuan në Kërrabë”. Në këtë takim ata i kishin thënë se Gentiani duhet vrarë.

I pranishëm në seancë Ardian Çapja ka thënë se Ervis Bardhi është mashtrues, duke i cilësuar si gënjeshtra dëshmitë e tij. Ardian Çapja tha: “Gënjen, ka disa herë që vetëm gënjen”

Edhe në seancën e mëparshme Bardhi dha detaje për njohjen me Gentian Beqirin në qelitë e burgut të Peqinit, në krijimin e miqësisë me të dhe vizitat e herëpashershme në shtëpinë e Beqirit, marrjen e porosisë për ekzekutimin e tij nga Ardian e Florenc Capja deri në ditën e ekzekutimit.

Deklarimet e tij para gjykatës Ervis Bardhi e nisi duke i kërkuar ndjesë nënës së Gentian Beqirit. Ai ka theksuar se Etjen Canin dhe Olsi Lekun i ka njohur pasi i kishte çuna të lagjes. Ndërsa për Gentian Beqirin e ka njohur gjatë kohës kur ai ishte arrestuar në 2010 kur ishte duke shlyer dënimin me 8 muaj burg për armë mbajte pa leje. I penduari thekson se nuk e njihte nga afër Gentianin por që e ka takuar nëpërmjet personave të tjerë që ndodheshin në burgun e Peqinit.

Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokolli dhe Olsi Leku akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian Beqirin dhe të atin e tij, Nezir Beqiri.

Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi nën hundën e Policisë, ndërkohë që Çapjan nuk e pranuan asnjëherë të jenë ata autorët e asaj ngjarjeje të rëndë. Në këtë çështje, pretendohet se personi që ka marrë pjesë direkt në vrasje, Ervis Bardhi, është penduar për krimin e kryer duke vendosur të bashkëpunojë dhe të flasë, duke treguar gjithçka ka ndodhur ditën e vrasjes.

Lexo edhe: Dubai rrëzon kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Florenc Çapjas, gruaja e tij pagoi 55 mijë dollarë për ta liruar

Së fundmi Shqipërisë i është mohuar kërkesa për ekstradimin e Florenc Çapjas i cili ndodhet në Dubai. Raportohet se gruaja e tij pagoi rreth 55 mijë euro për ta liruar nga qelia me kusht.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!