Ekzekutimi i Ardian Nikulajt/ “Daily Mail”: Tre britanikët rrezikojnë të paktën 31 vjet burg

schedule16:25 - 18 Qershor, 2023

schedule 16:25 - 18 Qershor, 2023

MBRETËRI E BASHKUAR- Tre shtetas britanikë, përfshirë edhe një nënë të re, përballen me rrezikun që ta kalojnë pjesën tjetër të jetës së tyre në burg në Shqipëri, për pjesëmarrje në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Kështu shkruan mediat britanike Daily Mail” për ngjarjen kriminale, që tronditi Shëngjinin gjatë muajit prill.

Mësohet se vendimi për ekstradimin e tyre pritet të jepet në muajin nëntor. Prokuroria shqiptare pretendon se tre britanikë, duke përfshirë edhe nënën e një djali 7 vjeç, ishin të përfshirë në krim. Sipas hetuesve, Edmond Haxhia kontaktoi me Harriet Bridgeman, Steven Hunt dhe Thomas Mithan për ta ndihmuar në planin për të larë hesapet disa vjeçare me biznesmenin Nikulaj.

Menjëherë pas ekzekutimit të biznesmenit në lokalin e tij, shtetasit britanikë bashkë me portugezin që kreu vrasjen, janë larguar nga Shqipëria, por prokuroria e Lezhës, kërkon ti ekstradojë ata për t’u gjykuar për vrasje në Shqipëri.

Dosja në gjykatën e Westminsterit ku po shqyrtohet kërkesa për ekstradim, tregon se të afërmit e Edmond Haxhisë dhe Ardian Nikulajt ishin përfshirë në një ‘gjakmarrje’  disa vjeçare. Më 25 qershor 1997, në Lezhë, Gëzim Lekstakaj dhe Lorent Gjetja dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri Pëllumb Nikulaj, vëllain e Ardian Nikulajt. Më pas, në shtator të atij viti, Lekstakaj dhe Gjetja u qëlluan për vdekje në një sulm hakmarrjeje, të cilin thuhet se e kishte organizuar Nikulaj.

Në mars të vitit 1999, në një fshat të Shqipërisë, dy anëtarë të familjes Lekstakaj, Gjovalini dhe Pjetri qëlluan me armë zjarri ndaj Nikoll Nikulajt, xhaxhait të Ardianit. Ai u kundërpërgjigj me pushkë gjuetie, duke vrarë Gjovalin dhe plagosur Pjetrin  i cili u largua në Birmingham.

Në vitin 2007, Shqipëria tentoi ta ekstradonte Pjeter Lekstakajn për tentativën e vrasjes së Nikoll Nikulajt, por kërkesa dështoi. Avokatët e Lekstakajt argumentuan se ai vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik dhe burgjet shqiptare nuk do të mund të trajtonin të dënuar me këtë gjendje.

Tre shtetasit britanikë dyshohet se kanë udhëtuar drejt Shqipërisë për të kryer vëzhgimin e Ardian Nikulajt në lokalin e tij, në Shëngjin. Ruben Saraiva, 27 vjeç, i lindur në Portugali e banues në Mbretërinë e Bashkuar, është personi që qëlloi biznesmenin. Ai u largua nga Shqipëria menjëherë pas ngjarjes, por u arrestua në Marok në fillim të majit ku është dërguar kërkesa e ekstradimit.

Ndërkohë në procesin që mbahet në Londër, Zoe Lash, përfaqësuese e qeverisë shqiptare, tha se më 19 prill në orën 13.23, Ardian Nikulaj u qëllua me gjashtë plumba. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë dikë që hyn në lokal me një skafandër dhe një jelek fosforeshent, qëllon dhe largohet me një motoçikletë gri. Sipas saj, sulmi ishte i paramenduar pasi kishte një shkallë të konsiderueshme planifikimi.  Haxhia dyshohet të jetë organizatori i vrasjes. Edmond Haxhia është kushëri i një familjeje me mbiemër Lekstakaj.

“Ne themi se ata janë në gjakmarrje me familjen e viktimës që nga viti 1997, kur dyshohet se vranë vëllain e viktimës.

Haxhia, 37 vjeç, Hunt, 49 vjeç, Bridgeman, 27 vjeç dhe Mithan, 35 vjeç, të gjithë mohojnë kryerjen e përgjimeve që çuan në vrasje. Haxhia mohon organizimin e goditjes dhe ekzekutuesi dyshuar është i arrestuar në Marok. Haxhia, Hunt dhe Mithan mbeten në paraburgim, por Bridgeman u lirua me kusht pasi babai i saj i ofroi gjykatës një garanci prej 20,000 paund.

Seanca dëgjimore e ekstradimit do të mbahet në nëntor. Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë 31 vite burg.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!