Kina ka dërguar ekuipazhin më të ri në stacionin e saj hapësinor në orbitë, si pjesë e një shtytjeje për të ulur astronautët e saj në Hënë përpara vitit 2030.
Anija kozmike Shenzhou 17 u ngrit nga qendra e nisjes satelitore Jiuquan në skajin e shkretëtirës Gobi në Kinën veriperëndimore me një raketë Long March 2-F në orën 11:14 të mëngjesit me orën lokale.
Sipas Agjencisë Kineze të Hapësirës, mosha mesatare e ekuipazhit prej tre anëtarësh është më e ulëta që nga fillimi i misionit për ndërtimin e stacionit hapësinor, raportoi më herët transmetuesi shtetëror kinez CCTV. China Daily raportoi se mosha mesatare e tyre është 38 vjeç.
Pekini po zbaton një plan për të dërguar astronautë në Hënë deri në vitin 2030, duke konkurruar me amerikanët. Kjo tregon konkurrencën e dy ekonomive më të mëdha në botë në fushën e teknologjisë, ushtrisë dhe diplomacisë, sipas AP. Ekipi prej tre anëtarësh i Tang Hongbo, Tang Shengjie dhe Jiang Xinlin do të zëvendësojë ekuipazhin që do të qëndrojë në stacionin hapësinor për gjashtë muaj. Tang është një veteran që drejtoi një mision hapësinor për tre muaj në 2021.
Ekuipazhi i ri do të kryejë eksperimente në mjekësinë hapësinore, teknologjinë hapësinore dhe fusha të tjera gjatë misionit dhe do të ndihmojë në instalimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve brenda dhe jashtë stacionit, tha agjencia kineze.
Agjencia gjithashtu njoftoi dje se planifikon të dërgojë një teleskop të ri për të vëzhguar universin. CCTV raportoi se teleskopi do të lejojë pamjet dhe hartimin e qiellit.
Kina ka hulumtuar lëvizjet e yjeve dhe planetëve për mijëra vjet, dhe në kohët moderne po përpiqet të bëhet lider në eksplorimin e hapësirës dhe shkencën e hapësirës.
Kina ndërtoi stacionin e saj kur u përjashtua nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor, kryesisht për shkak të shqetësimeve të SHBA-së se ushtria kineze mund të merrte kontrollin e programit.
Misioni i parë hapësinor i drejtuar nga Kina në 2003 e shënoi Kinën si vendin e tretë pas Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së që dërgoi një njeri në hapësirë duke përdorur burimet e veta./abcnews.al