Ekuadori në bisedime me Britaninë për fatin e Assange

schedule17:22 - 29 Korrik, 2018

schedule 17:22 - 29 Korrik, 2018

Ekuadori negocion me Britani lidhur me fatin e Julian Assange, i cili themeloi kompaninë Wikileaks, që zbuloi shumë sekrete shtetërore të qeverisë së SHBA-ve. Në këtë mënyrë ai rrezikon ekstradimin për në Uashington.

Ekuadori po zhvillon bisedime me Britaninë e Madhe mbi fatin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, i cili po strehohet në ambasadën ekuadoriane në Londër që nga viti 2012. Lajmin e ka bërë të ditur a presidenti ekuadorian, Lenin Moreno, në një intervistë të botuar të dielën nga e përditshmja spanjolle El Pais.

“Çështja e zotit Assange është trajtuar me qeverinë britanike dhe ne kemi vendosur tashmë kontakte me avokatët e Assange për të gjetur një rrugë dalje,” tha presidenti ekuadorian.

“Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për të. Një zgjidhje që mbron të drejtat e Assange, kryesisht për të drejtën e jetës, dhe në të njëjtën kohë të japin Ekuador mundësinë që të mos ketë atë, që pa dyshim, është një problem për vendin,” vazhdon ai.

Për Morenon, i cili vizitoi Spanjën dhe Britaninë këtë javë, një zgjidhje “ideale” do të ishte për Assange që të pranonte një “dënim” për shkelje të kushteve të vendosura nga Britania e Madhe për lirimin me kusht, dhe pastaj të “ekstradohet në një vend ku ai nuk rrezikon”.

47-vjeçari australian Julian Assange,hyri në Ambasadën e Ekuadorit në Qershor 2012 për t’i shpëtuar ekstradimit në Suedi, ku ai ishte kërkuar që nga fundi i vitit 2010 me akuza për përdhunim dhe sulme seksuale të mohuara gjithmonë prej tij. Prokuroria në Suedi e pushoi çështjen ndaj tij në Maj të 2017, por drejtësia e Mbretërisë së Bashkuar refuzoi në muajin Shkurt për t’i hequr urdhrin e arrestit ndaj tij me arsyetimin se ai nuk kishte respektuar në vitin 2012 me kushtet e vëna për lirinë e tij me kusht të dhënë asaj kohe.

Vetë australiani ka frikë se nëse ai largohet nga ambasada e Ekuadorit, do të arrestohet për tu ekstraduar në Shtetet e Bashkuara ku gjithashtu është i kërkuar për publikimin nga WikiLeaks në 2010 të shumë sekreteve ushtarake amerikane dhe dokumenteve diplomatike. Ekuadori i ka dhënë shtetësinë themeluesit të Wikileaks në Dhjetor, por Londra refuzoi t’i japë atij status diplomatik që do ta lejonte atë të largohej nga ambasada pa u arrestuar nga policia britanike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!