TIRANË- Ekstradohet nga Italia në Shqipëri 52-vjeçari Bujar Shega, i konsideruar si truri financiar i grupit kriminal të Suel Çelës në Elbasan.
Ai akuzohet nga GjKKO, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të parave, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
“Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, të arrestuar në Itali, Marsel Shega alias Bujar Shega., 52 vjeç, i lindur në Elbasan”, njofton policia.
Ai dyshohet se pastronte paratë e grupit të Suel Çelës përmes dy kompanive të tij të pastrimit në qytetin Elbasan.
Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal./abcnews.al