Një grup prej 29 eurodeputetësh, përmes një letre dërguar presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj kanë kërkuar që autoritetet në Kosovë të veprojnë sipas ligjit kur bëhet fjalë për ekstradimin e shtetasve të huaj. Ligjvënësit europianë i janë referuar deportimit të 6 shtetasve turq, veprim ky që sipas tyre është bërë në shkelje të të gjitha procedurave ligjore në fuqi. Në letër nënvizohet se anulimi i lejeve të qëndrimit të 6 personave pa ndjekur procedurat dhe largimi i tyre nga vendi pa një proces gjyqësor përbën shkelje të ligjit. Nisur nga paralajmërimi i presidentit turk Erdogan, se nga Kosova do të ketë ekstradime të tjera, anëtarët e PE i kanë bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të veprojnë në përputhje me standardet europiane. “Duke qenë se Kosova synon anëtarësimin në BE, atëherë ajo duhet të veprojë në përputhje me parimet europiane dhe sundimi i ligjit është një parim thelbësor”, thuhet në letër. Në të thuhet më tej se, procedurat arbitrare për arrestimin, burgimin, apo ekstradimin e personave të caktuar përbëjnë shkelje të këtyre parimeve. /abcnews.al
Ekstradimi i shtetasve turq/PE mesazh Kosovës: Jo veprime arbitrare
schedule22:51 - 16 Prill, 2018
schedule 22:51 - 16 Prill, 2018