Ekstradimi i Izet Haxhisë/Avokati: Do rihapim dosjen “Hajdari”

schedule12:18 - 9 Maj, 2018

schedule 12:18 - 9 Maj, 2018

Pa kaluar 24 orë nga ekstradimi i tij në Shqipëri, Izet Haxhia ka zhvilluar takimin e parë me avokatin e tij, Fran Dashi. Avokati tha se Haxhia ishte i lumtur për kthimin në vend dhe konfirmoi se brenda pak ditësh do të depozitojë kërkesën ligjore për rihapjen e dosjes “Hajdari”.

Pasi kaloi një natë në një qeli burgu në Shqipëri, Izet Haxhia zhvilloi takimin e parë me avokatin Fran Dashi. Në përfundim të takimit 40 minutësh, avokati përcolli për mediat përjetimin e klientit të tij pas ekstradimit.

“Ai është shumë i lumturuar që pas 20 vitesh rikthehete në atdheun e tij. Është shëndoshë dhe mirë, me memorie shumë të pastër. Ju siguroj që shëndeti i tij është i plotë”.

Avokati tregoi se pikësymini i Izet Haxhisë është rihapja e dosjes “Hajdari”. Dashi shprehu besimin e tij dhe argumentin, ku do bazohet kërkesa.

“Është gjëja më elementare. Jemi drejt përfundimit. Do t;i japim dorën e fundit, do ta depozitojmë në gjykatë. Shtetasi Izet Haxhia është gjykuar në të gjithë shkallët e gjykimit në mungesë dhe kjo do të thotë se kur një shtetas gjykohet në mungesë vetëkuptohet se çështja do rihapet”.

Avokati tha se klienti i tij nuk ka asnjë frikë për jetën.

“Si të gjithë të burgosurit e tjerë nuk ka rrezik për jetën sepse këtu jemi në vendin tonë, në Shqipëri”.

Izet Haxhia mbërriti në Rinas në orën 20:08 të së martës, pas një qëndrimi gati 11-vjeçar në Turqi, në pritje të ekstradimit.

Ish-truproja e presidentit Sali Berisha në vitet 1992-1997 u arrestua në territorin turk në vitin 2006, për shkak të një dënimi me çerek shekulli burg dhënë në mungesë për të në vitin 2002 nga Gjykata e Tiranës si pjesëmarrjes në ekzekutimin e Azem Hajdarit.

Izet Haxhia nuk ka pranuar asnjëherë përfshirjen në ngjarjen e vitit 1998. Në ditët në vijim, ai pritet të paraqitet në Gjykatën e Tiranës për konfirmimin e gjeneraliteteve dhe komunikimin e dënimit me 25 vite burg./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!