Ekspozita “Sigurimi në fjalët e veta”, Rama: Historinë ta nxjerrim në dritë për brezat e rinj

schedule19:00 - 30 Gusht, 2021

schedule 19:00 - 30 Gusht, 2021

Mbrëmjen e sotme u hap në lulishten pranë Kryeministrisë ekspozita “SIGURIMI NË FJALËT E VETA” ku përmes dokumenteve të ish- Sigurimit të Shtetit del në dritë një tjetër copëz e historisë rrëqethëse e viktimave të diktaturës. Kryeministri Edi Rama u shpreh se historia e gjithë persekutimeve të diktaturës përtej përjetimeve personale është me një vlerë të jashtëzakonshme për ndërgjegjen shoqërore dhe gjeneratat e tjera, si dëshmi. Ai tha se në dy mandatet e para të qeverisë është bërë diçka duke marrë si pikë referimi Autoritetin e Hapjes së Dosjeve.

Është një dhimbje që janë shumë familje që nuk arrijnë që të kenë një vend për të kujtuar dhe nderuar të afërmit e tyre për shkak se nuk gjenden eshtrat. Është e pakuptueshme e gjithë koha e humbur sidomos në vitit ’90, kur mundësitë ishin shumë më të mëdha, dhe fenomeni i zhdukjes së dokumenteve ishte ende e mundshme që të përballohej.

Megjithatë them se historia e gjithë persekutimeve të diktaturës përtej atyre personale është me një vlerë të jashtëzakonshme për ndërgjegjen shoqërore dhe gjeneratat e tjera. Jemi përpjekur të bëjmë sa të mundemi që këtë histori ta nxjerrim në dritë në funksion të së ardhmes, jo thjeshtë në funksion të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt prej saj.

Ekspozita është një kontribut modest në vazhdën e kësaj përpjekje dhe besoj që përtej çështjeve të mbartura, sot Shqipëria ka arritur që të vendosë disa pika referimi për të shkuarën që janë fizike, konkrete të prekshme. Autoriteti për Hapjen e Dosjeve është një nga këto pika dhe ndoshta më e rëndësishmja dhe është sot një autoritet që vlerësohet” tha Edi Rama./ db/Abcnews.al