Eksporti i grurit ukrainas, Erdogan bisedon me Macron

schedule11:36 - 18 Korrik, 2022

schedule 11:36 - 18 Korrik, 2022

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka zhvilluar një bisedë telefonike me Macron në lidhje me hapjen e koridoreve për eksportin e grurit ukrainas nga Deti i Zi dhe portet e vendit, sipas la repubblica.

Gjatë telefonatës, Erdogan informoi Macron për një qendër koordinimi që do të ngrihet në Stamboll nga përfaqësues të Moskës, Kievit, Ankarasë dhe Organizatës të Kombeve të Bashkuara.

“Nëse plani vihet në praktikë së shpejti, “do të jetë një ndihmë e madhe për sigurinë ushqimore në nivel global”, tha presidenti turk, i cili përveç luftës në Ukrainë, diskutoi edhe për marrëdhëniet dypalëshe me Macron.

Ditët e fundit, një marrëveshje për disa pika për eksportin e grurit ukrainas  u arrit në një takim në Stamboll midis delegacioneve nga Kievi, Moska dhe Ankaraja së bashku me përfaqësuesit e OKB-së.

Ndërkohë priten diskutime të tjera në Turqi për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse mbi planin. Presidenti turk pritet të bëjë një vizitë zyrtare sot në Iran, ku nesër pritet të takohet me homologun e tij rus Vladimir Putin për situatën në Siri.

Nesër do të jetë përballja e parë ballë për ballë mes Putinit dhe Erdoganit që nga fillimi i pushtimit rus.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!