Eksportet shqiptare u rritën lehtë edhe gjatë qershorit duke arritur në 35 miliardë lekë, rreth 1.9% më shumë se në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë, si raport 6-mujor, vlera totale e tyre arriti në 203 miliardë lekë, duke parë një përmirësim krahasuar me vitin e shkuar. Referuar Instat, ndikimin kryesor pozitiv në ecurinë e eksporteve e dhanë kryesisht grupi I mineraleve e lëndëve djegëse, ndjekur nga ushqimet si dhe makineritë e pjesët e këmbimit.
Ndërkohë, rritje modeste muajin e kaluar ka parë edhe industria fason, ndër më të prekurat prej zhvlerësimit të monedhës europiane. E kundërta ka ndodhur me materialet e ndërtimit e metalet, pasi eksportet e këtij grupi u tkurrën në qershor me gati 6.2%.
Mallrat e importuara nga ana tjetër u frenuan në qershor me 0.2%, duke zbritur në 77 miliardë lekë, ndërsa më e madhe ishte rënia si raport 6-mujor, pasi shënuan një rënie me 2%.
Sipas hartës së shteteve, rritja më e madhe e eksporteve është vërejtur me Kosovën me mbi 64%, ndjekur nga Gjermania dhe Greqia. Ndërkohë, pavarësisht se është partneri kryesor tregtar i vendit, eksportet me Italinë shfaqën një tendencë në rënie me mbi 10% muajin që lamë pas.
Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian mbajnë edhe peshën kryesore, ku eksportet shqiptare drejt vendeve të unionin zunë 67.4% të eksporteve gjithsej për muajin e kaluar./abcnews.al