Eksportet e nisin vitin me rritje, dobët tekstile-këpucë e lëndët djegëse, sytë nga Kina

schedule08:09 - 18 Shkurt, 2021

schedule 08:09 - 18 Shkurt, 2021

Eksportet e kanë nisur vitin me një rritje të lehtë prej 3.1% me bazë vjetore në janar, të ndikuara nga ecuria pozitive e “Materiale ndërtimi dhe metale” “Ushqim, pije, duhan” dhe “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, që kishin nisur rimëkëmbjen që në muajt e fundit të 2020-s. Viti nuk ka nisur mbarë për industrinë e tekstileve dhe këpucëve, që po vuan pasojat e izolimit të zi në Europë dhe të “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”.

Sipas INSTAT, Në Janar 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 24 mld lekë, duke u rritur me3,1%, në krahasim me Janar 2020 dhe me 2,8%, në krahasim me Dhjetor2020. Importet e mallrave arritën vlerën 45mld lekë, duke u rritur me 8,4%, në krahasim me Janar 2020 dhe duke u ulur me26,0%, në krahasim me Dhjetor2020. Deficiti tregtar i këtij muaji është 22 mld lekë, duke u rritur me 14,7%, krahasuar me Janar 2020 dhe duke u ulur me 43,4%, në krahasim me Dhjetor 2020.

Gjatë muajit Janar 2021 rritja e eksporteve prej 3,1%, krahasuar me Janar 2020 është ndikuar nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,2pikë përqindje, “Ushqim, pije, duhan” me +2,2 pikë përqindje, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +1,3 pikë përqindje. Në uljen vjetore të eksporteve kanë ndikuar kryesisht grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -2,0 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,7pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me -0,7 pikë përqindje.

Gjatë muajit Janar 2021 rritia e importeve prej 8,4%, krahasuar me Janar 2020 është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +3,1 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,8 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +2,3 pikë përqindje. Në uljen vjetore të importeve kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me -1,1pikë përqindje, “Lëkurë dhe artikuj prej tyre” me -0,6 pikë përqindje, “Prodhimi druri dhe letre” me -0,1 pikë përqindje.

Rriten ndjeshëm eksportet drejt Kinës

Në muajin Janar 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Janar 2020 janë: Italia (4,5%), Greqia (1,3%) dhe Kina (132,7%).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Spanja (3,0%), Kosova (15,2%) dhe Gjermania (25,8%).

Në muajin Janar 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Janar 2020 janë: Italia (13,1%), Kina (18,6%) dhe Turqia (1,4%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Greqia (12,4%), Gjermania (0,5%) dhe SHBA (6,6%).

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 63,3%, të gjithë tregtisë. Në Janar 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 81,0% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,1% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (33,3%), Kina (8,1%), Turqia (7,2%) dhe Greqia (7,1%), raportoi INSTAT./Monitor