Eksplozivi pallatit në Lezhë, dyshohet konflikt pronësie, autorët u zhdukën me makinë pa targa

schedule13:46 - 20 Nëntor, 2020

schedule 13:46 - 20 Nëntor, 2020

Një sasi eksplozivi që ka shkaktuar vetëm dëmemateriale shpërthyeu në një pallat shumëkatësh në ndërtim e sipër në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shengjin. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth ores 20:30 minuta në objektin që po ndërtohet nga biznesmeni Liman Gjoka banues në Tiranë, raporton gazetari i “ABC”-së Gjergj Figuri.

Nuk ka asnjë të dyshuar apo të shoqëruar për ngjarjen, ndërsa mësohet se autorët janë ulur tek objekti nga pjesa veriore e tij dhe pasi kanë vendosur lëndën shpërthese janë larguar dhe mendohet se kanë lëvizur me një makinë pa targa, gjë për të cilën po merren edhe disa kamera sigurie nga mendohet se mund të ketë lëvizur mjeti.

Paraditen e sotme ka dhënë dëshminë e tij edhe pronari i objektit, biznesmeni Liman Gjoka, i cili ka mohuar që të ketë probleme personale apo të biznesit të tij duke mos i dhënë policisë asnjë të dyshuar për ngjarjen. Konflikti për pronën është pista kryesore që po hetohet pasi ka pretendime të tjera për një pjesë të sipërfaqes së tokës ku po kryhet ndërtimi dhe se burime  konfidenciale thanë për “ABC” se për këto pretendime ka edhe denoncime në prokurori.

Prona është blerë nga biznesmeni Gjoka në vitin 2010 dhe prej 1 viti aty po ndërtohet një kompleks shërbimesh dhe banimi. Pritet marrja në pyetje e personave më të cilët është në konflikt biznesmeni Liman Gjoka për tokën e blerë në zonën e “Ranës së Hedhun”, ndërsa policia po vijon ende veprimet e saj për të zbardhur ngjarjen dhe për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të saj./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!