Në një nga zonat më të frekuentuara në Vlorë mbrëmjen e sotme është shmangur një tragjedi. Eksploziv i mbështjellë me celular! Rezultoi një bombë e përgatitur me telekomandë pakoja e dyshimtë që alarmoi qytetin bregdetar. Rreth orës 22:30 ekspertët e xhenios të mbërritur nga Tirana, kryen shpërthimin e kontrolluar të pakos së dyshimtë. Gazetari i Abc News në Vlorë, Elton Nika raporton se brenda pakos kishte eksploziv.
Tre orë alarm në Vlorë
Ishte ora rreth 18:42 e mbrëmjes së sotme kur në lagjen “Pavarësia” në Vlorë në brendësi të një lulishteje u konstatua një pako e dyshimtë. Pas njoftimit policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe rrethoi zonën pranë pallatit të Kulturës në Skelë duke bllokuar qarkullimin.
Pakoja e mbështjellë me një celular ishte poshtë një peme pranë rrugës, që frekuentohet shumë jo vetëm gjatë ditës por edhe në mbrëmje nga qytetarët, ndërsa ka edhe fluks makinash. U njoftuan ekspertët e xhenios nga Tirana, të cilët arritën pas 3 orësh duke bllokuan valët për të bërë më pas shpërthimin e kontrolluar, ku rezultoi se ishte një bombë.
Kush ishte shënjestra?
Pistat ku po hetohet janë disa, ndërsa është mister fakti si përfundoi eksplozivi në atë pjesë të rrugës, pranë një peme. Puna e policisë dhe prokurorisë ka nisur nga sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë së bizneseve pranë vendit të ngjarjes për të shkuar në gjurmët e autorit. /db/Abcnews.al