Turizmi është transformuar në një ‘motor’ për ekonominë duke vënë në lëvizje të gjithë sektorët. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë pikut të sezonit ka pasur një përmirësim të treguesve në tregtisë me shumicë e pakicë, në aktivitetin e hoteleve dhe restoranteve por edhe në transport.
Ekspertja për ekonominë, Eriola Hoxha tha në emisionin “Money Report” se konsumi ka shënuar një trend pozitiv në krahasim me vitin e kaluar në vlerë 6.4 përqind. Sipas saj, konsumi gjatë festave të fundvitit do të rritet, pavarësisht çmimeve të larta dhe tregut që bëhet abuziv në këtë periudhë.
“Gjatë vitit 2024, ekonomia u karakterizua nga zhvillimi i mëtejshëm dhe me të ardhura të larta në sektorin e turizmit, por shënoi edhe rritje të pagave mesatare në sektorin publik dhe privat. Do të nxitet më shumë blerja. Gjatë festave ka më shumë blerje të produkteve pavarësisht se çmimet janë të larta dhe tregu bëhet abuziv në muajin dhjetor. Do të nxitet konsumi por do të ketë edhe shifër më të lartë të përdorimit të konsumit në raport me të njëjtën periudhë e një viti më parë. Do të preket një pjesë e mirë e produkteve të shportës, që do të jenë pjesë e tryezave familjare, e lidhur edhe me rritjen e normës bazë të inflacionit”, u shpreh ekspertja.
Duke u ndalur te mbledhja e fundit që pritet të mbajë Banka e Shqipërisë për këtë vit, ekspertja shtoi:
“Jo vetëm nën efektin e Bankës Qendrore Evropiane, por politikat monetare të Bankës së Shqipërisë diktojnë stabilizimin e mëtejshëm të situatës ekonomike në përgjithësi, veçanërisht mbajtjen stabël të çmimeve apo politikave monetare. Jam e sigurt që do të vijojnë të mbahen politika monetare afatgjata të qëndrueshme që do të sjellin efekte pozitive në stabilitetin e ekonomisë shqiptare.”/abcnews.al

