Eksperti ushtarak profetizon ecurinë e lufës në Ukrainë

schedule11:00 - 25 Prill, 2022

schedule 11:00 - 25 Prill, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Dy muaj që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia ende po lufton për të arritur qëllimet e saj. Përpjekjet e saj për të marrë apo edhe për të rrethuar Kievin dhe Odesën kanë dështuar. Tani forcat ruse po ripërqendrojnë përpjekjet e tyre në rrethimin e forcave ukrainase rreth rajonit të Donbas në Ukrainën lindore.

Por morali i ulët i ushtarëve po kërcënon aftësinë e saj për të përmbushur edhe këtë qëllim dytësor.

Ndërsa lufta hyn në fazën e saj të ardhshme, kush ka avantazhin?

Një nga aspektet befasuese të kësaj lufte ka qenë shkalla në të cilën strategjia e Rusisë përkeqësoi dobësitë e forcave të saj të armatosura, ndërkohë që nuk arriti t’i maksimizonte ato. Rusia zgjodhi të përmbushte qëllimin duke nxitur përparimin e forcave të saj, raporton abcnews.al.

Kjo përkeqësoi problemet e saj logjistike dhe diçka e tillë nënkupton se Rusia nuk mund të grumbullojë forca të tjera luftarake për të përmbushur  objektivat e saj fillestare, duke përfshirë rrethimin e kryeqytetit ukrainas.

Sikur Rusia të kishte zgjedhur t’i përqendronte përpjekjet e saj në Donbas, rrjedha e luftës mund të kishte shkuar ndryshe.

Fokusi i Rusisë është tashmë në Ukrainën juglindore, dhe ajo duhet të përmirësojë disa nga problemet e saj. Terreni në Donbas është më i përshtatshëm për një ofensivë, duke i lejuar ushtrisë ruse të përdorë më mirë avantazhet e saj në armaturë dhe artileri.

Vendimi për të emëruar Aleksandër Dvornikov, një gjeneral ushtrie, si komandant i përgjithshëm i operacionit duhet të zgjidhë problemet me unitetin e komandës.

Marrja në kontroll e Mariupolit do të përmirësonte sadopak situatën.

Por a është vonë për Rusinë?

Në fund të fundit, kjo do të varet se nga cila anë është më e prekur Rusia. Ka shumë pak informacione për shkallën e humbjeve në Ukrainë. Ajo që është e qartë është se Rusia ka humbur një sasi të madhe pajisjesh, duke përfshirë helikopterë dhe tanke.

Nga gjashtë batalionet në dy regjimentet e tankeve të Divizionit të 4-të të Tankeve Ruse, tanket T-80U  janë shkatërruar ose kapur (më shumë se 62 në total). Humbjet e personelit janë gjithashtu një problem shumë më i madh. Një zyrtar i NATO-s tha se deri në 40,000 janë vrarë,  plagosur dhe kapur rob një muaj më parë.

Forca fillestare pushtuese e Rusisë prej rreth 125 grupesh taktike batalioni (BTG), kishte 100,000 trupa në total. Më e rëndësishmja, jo të gjitha ato ishin forca luftarake. Kjo shifër përfshin ata që janë përgjegjës për mbrojtjen ajrore, luftën elektronike dhe funksione të tjera mbështetëse.

Në krahasim me ushtritë e shumë anëtarëve të NATO-s, forcat tokësore ruse kanë një raport më të lartë të artilerisë dhe armëve të tjera, të cilat njihen si njësi manovrimi, të tilla si tanke. Njësitë e manovrimit, si dhe forcat elitare spetsnaz (forcat speciale) dhe forcat ajrore, janë jetike për një ofensivë të re në Donbas.

Por  janë pikërisht këto  që kanë marrë barrën e viktimave ruse. Mungesa e këmbësorisë së lehtë ruse ka qenë një dobësi e qartë dhe ka indikacione se shumë grupe batalioni ruse pushtuan Ukrainën vetëm me forca të pjesshme, raporton abcnews.al.

Tani ka shumë pak rezerva. Rusia angazhoi 75% të BTG-ve të saj në pushtimin e Ukrainës. Fakti që Rusia ka zgjedhur të dërgojë më shumë njësi, ndoshta më shumë se dhjetë BTG, që kur filloi lufta nga garnizonet kritike në Kaliningrad, Taxhikistandhe rajonin separatist të Osetisë së Jugut në Gjeorgji, nënvizon shtrirjen e problemeve të saj.

Ushtria ruse nuk është e përgatitur për të përballuar një krizë tjetër – si trazirat në Kazakistan në janar,  për sa kohë që shumica e njësive të saj tokësore të gatishmërisë së përhershme dhe forcave të reagimit të shpejtë po luftojnë kundër Ukrainës.

Rusia duhet të mobilizojë rekrutët.

Çfarë do të thotë kjo për betejat e ardhshme në Donbas? Një forcë sulmuese zakonisht kërkon një avantazh numerik tre-me-një ndaj forcave mbrojtëse nëse jo më shumë.

Kjo shkallë epërsie është tani ndoshta përtej Rusisë, me përjashtim të planifikimit taktik në disa vende. Me siguri Rusia do të përpiqet ta kompensojë këtë mungesë në njësitë e manovrimit me sulme ajrore dhe artileri.

Rusia gjithashtu mund të mbështetet më shumë në forcat e milicisë. Por kjo nuk është një recetë për përparimin e shpejtë të trupave dhe ushtria ukrainase ka treguar se është e aftë, krijuese dhe di të udhëheqë mirë.

Më shumë gjasa, çdo përparim i forcave ruse do të jetë i ngadaltë dhe i kushtueshëm.

Rusia po përballet edhe me probleme të tjera. Objektivat e saj janë të qarta. Kjo do të thotë se Ukraina ka mundësinë t’i prishë ato plane.

Kjo mund të përfshijë ndërprerjen e linjave ruse të furnizimit, ndoshta duke shkatërruar urat dhe rrugët dhe duke detyruar njësitë ruse të kalojnë nëpër fusha me baltë. Kiev arriti ti bënte ballë forcave ruse duke i detyruar ato të fokusohen tashmë në rajonin e Donbasit.

Avantazhi i Ukrainës është se ajo gëzon ato që quhen linja të brendshme, duke e lejuar të lëvizë forcat dhe furnizimet mbi territorin e saj më shpejt se sa Rusia. Ajo gjithashtu ka mobilizuar njësitë e  mbrojtjes territoriale, të cilat tashmë kanë përvojë të mjaftueshme ushtarake, raporton abcnews.al.

Ndërkohë, Rusia, e cila ka dështuar të mposhtë mbrojtjen ajrore të Ukrainës, ende po përpiqet të ndalojë përforcimet dhe furnizimet ukrainase – një detyrë që ishte thelbësore për ofensivën e suksesshme tokësore të Azerbajxhanit në luftën e tij në Nagorno-Karabakh në vitin 2020.

Në të vërtetë, kërcënimi nga mbrojtja ajrore e Ukrainës po kufizon efektivitetin e sulmeve ajrore ruse në rajonin e Donbasit, pasi raketat me rreze të gjatë nuk janë më efektive sa në fillim. Për sa kohë që Ukraina mund të parandalojë Rusinë që të rrethojë një pjesë të madhe të forcave të saj, ajo do të dështojë në strategjitë taktike apo operacionale.

Nëse Ukraina humbet kontrollin e territorit por mund t’i shkaktojë humbje më të mëdha Rusisë, atëherë ky mund të konsiderohet sukses. Rusia, në fund të fundit, ka nevojë për forca të shumta jo vetëm për të kryer një ofensivë, por edhe për të mbajtur në kontroll terrenin.

Për sa kohë që lufta vazhdon, Rusia do të vazhdojë të ketë mbështetjen e popullit. Por sapo lufta të  përfundojë përfundimisht, qytetarët rusë do të peshojnë kostot dhe përfitimet, dhe shumë do të pyesin nëse zgjerimi i kontrollit rus mbi Ukrainën juglindore ia ka vlejtur duke pasur parasysh humbjet e mëdha ushtarake dhe izolimin ndërkombëtar.

Për sa kohë që Putin  beson se forcat e tij të armatosura kanë ende një shanc për të avancuar, duke përmirësuar kështu qasjen e Rusisë në negociatat diplomatike, ai nuk do të heqë dorë nga lufta.

Megjithatë, shkalla e problemeve të forcave tokësore ruse së bashku me lodhjen dhe moralin e ulët sugjeron që suksesi i ofensivës së Rusisë në Donbas ka të ngjarë të jetë i pjesshëm.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!