KOSOVË– Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm në tërësinë e tij Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk është pajtuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të pavlefshëm këtë ligj, ndërsa deklarata e saj, nuk shikohen si pozitive nga ekspertët e fushës.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, tha se nuk duhet, që një ministre të flasë për këtë çështje për punën e Gjykatës Kushtetuese.
“Fillimisht duhet theksuar faktin kur shohim deklarime të tilla, se në këtë rast Ministrja e Drejtësisë. Nuk i takon një ministre të Drejtësisë të thotë se ka zvarritje. Ligji për Gjykatën Kushtetuese, ka përcaktuar, se për këto lloj procedurash, Gjykata Kushtetuese, duhet të vendosë brenda afatit prej 60 ditësh”, tha ai.
Ai theksoi se reforma në sistemin e prokurorisë në Kosovë është e domosdoshme pasi ka shumë probleme.
“Gjykata ka bërë 8-9 muaj në këtë rast dhe kjo përbën shkelje të ligjit. Reforma në sistemin prokurorial në Kosovë është e domosdoshme”, tha ai.
Gjatë intervistës në “Ballkan Update” në ABC News, Shala u shpreh se në sistem mbrohen prokurorët dhe jo interesi publik. Sipas tij, këto praktika duhet të marrin fund, në mënyrë që drejtësia të bëhet e pandikuar nga askush.
“Reforma nuk është diçka vetëm pozitive, por është diçka e domosdoshme. Persona të caktuar riciklohen dhe sistemi mbron prokurorët dhe nuk mbron interesin publik. Mekanizmat në sistemin prokurorial nuk kanë funksionuar”, tha ai./n.m. abcnews.al