Nga Xhensila Kodra
Vitet e fundit grupet kriminale kanë ndryshuar metodën e kultivimit të drogës. Tashmë, kanabisin po e mbjellin në ambiente të mbyllura. Për ekspertin Ervin Karamuça, në këtë rast është tepër e vështirë që policia t’i identifikojë ato me kontrolle nga ajri, apo me dronë.
“Deri më sot mënyra si i ka identifikuar policia ka qenë me pamjeve ajrore, helikopter, dronë”. Tani janë bërë të zgjuar grupet kriminale dhe kanë filluar t’i fusin në shtëpi. E para duan shumë ujë dhe nëse nuk kanë diell duan shumë energji elektrike”, shprehet ai.
Karamuça, njëherazi edhe profesor i kriminologjisë në Fakultetin e Drejtësisë së Tiranës, thotë se Policia e Shtetit duhet të bashkëpunojë ngushtë me operatorët e energjisë elektrike dhe ndërmarrjen e ujësjellësit.
“Policia duhet të shtojë kontrollin në territor. Policia ka një rrjet informativ të saj dhe institucionet vendore kanë detyrime ligjore për të raportuar për këto veprimtari të dyshimta në territorin që ato kanë në juridiksion.
Mund të jetë dhe OSHEE, Ujësjellës të cilat bëjnë të mundur të dalin në konkluzione pse shpenzohet aq shumë në bazë të numrit të pjesëtarëve të familjes”
Si shembull, ai merr një rast të ndodhur në Britaninë e Madhe.
Javët e fundit, policia ka zbuluar disa laboratorë të kultivimit të kanabisit. Rasti i fundit ishte ai i identifikuar në zonën e Selitës në Tiranë. 4 persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin marrë me qira një apartament në katin e 5-të të një pallati dhe e kishin përshtatur në shtëpi bari. /Abcnews.al