Gjermani, eksperti: Të mos kufizohen ndjeshëm funksionet e kartës së refugjatëve

schedule09:11 - 23 Prill, 2024

schedule 09:11 - 23 Prill, 2024

Kush vjen si refugjat në Gjermani dhe kërkon azil ka të drejtë të mbështetet në bazë të ligjit për kontributin ndaj azilkërkuesve. Kjo mund të jetë në formë mjetesh jetese, para në dorë apo bono. Tani ka edhe një mundësi tjetër, karta e pagesës, që kufizon dhënien e parave cash për ta. Bundestagu e ndryshoi në fillim të prillit ligjin për kontributin ndaj azilkërkuesve për të krijuar një kuadër ligjor për landet që japin kartën për refugjatët.

Eksperti gjerman për migracionin e tregun e punës, Herbert Brücker i bën thirrje landeve federale t’i pajisin me shumë funksione kartat e pagesës për azilkërkuesit dhe ata me leje të përkohshme, “duldung”. “Nëse mundësitë e blerjes dhe konsumit kufizohen tej mase, kjo do të ketë efekt negativ në integrimin e këtyre personave”, tha Brücker për shërbimin mediatik evangjelist, epd. Mundësite e pagesës që kufizohen brenda një zone të caktuar ndikojnë në mobilitetin e tyre, reduktojnë kontaktet e azilkërkuesve dhe atyre me “duldung” me gjermanët dhe pengojnë kështu kërkimin e punës, ka thënë eksperti.
Probleme praktike të jetës së përditshme

Me përdorimin e kartës së pagesës për refugjatët lidhen shumë probleme që mund të ishin mënjanuar. Më problematike për ekspertin është tërheqja e parave nga automatët. “Refugjatët janë të kufizuar shumë përmes kësaj, sepse ka shumë gjëra në jetën e përditshme që mund të paguhen vetën me para në dorë.” Po aq problematike është edhe një njoftim, që kartat të përdoren vetëm në dyqane të caktuara ose vetëm brenda qarkut. “Të gjitha këto kanë pasoja negative tek integrimi, psh. nëse ka kurse integrimi apo të gjuhës gjermane që janë jashtë qarkut të landit federal, por njerëzit e kanë të vështirë të shkojnë aty, për shkak se u mungojnë mundësitë e pagesës.” Po kjo vlen edhe në rast të kërkimit të një vendi pune.

Rregulloret për përdorimin e kartës së refugjatëve të vendosur së fundmi në Gjermani i përkasin si çështje landeve federale. Por ajo që dihet është se ato ndryshojnë nga landi në land. “Për shkak se synimi është që të vështirësohet dërgimi i parave në vendet origjinë të refugjatëve, do të ketë kufizime”, është shprehur eksperti i Institutit për Tregun e Punës dhe Studimet e Profesionit dhe Institutit të Berlinit për Studimet e Integrimit dhe Migrimit në Universitetin Humboldt.

Sipas Brücker shuma e dërguar në vendlindje apo ajo që iu jepet kontrabandistëve si rregull është e ulët. Banka Federale ka llogaritur se në vitin 2023 paratë e dërguara në tetë vendet kryesore nga vijnë refugjatët kap shifrën e 829 milionë eurove. Por Brücker thotë, se shumë më tepër para dërgojnë në vendlindje migrantët që punojnë. Me të ardhurat që marrin refugjatët duhet fillimisht të jetojnë këtu, thotë eksperti, e “nëse mbeten 10 apo 20% që mund të dërgojnë në shtëpi, atëherë me kursim do duhen të paktën 5 vjet që të paguhet një kontrabandist”. Kjo nuk është realiste dhe nuk ka evidenca, se kontrabandistët financohen përmes kontributeve të azilit. “Kjo hipotezë është kaq absurde, saqë deri më tani askush nuk e ka studiuar sistematikisht”, ka thënë Brücker./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!