TIRANË- Eksperti bankar Artur Ribaj vlerësoi përfshirjen e Shqipërisë në sistemin evropian të pagesave SEPA si një zhvillim pozitiv për ekonominë dhe tregun financiar shqiptar, por theksoi se ky proces duhet të shoqërohet me kujdes dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.
Në një intervistë për emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Ribaj u shpreh se integrimi në SEPA nuk përfshin vetëm bankat, por edhe institucionet financiare jo-banka.
Megjithatë, ai paralajmëroi se zgjerimi i pjesëmarrësve në sistem kërkon një qasje të matur dhe të kujdesshme.
Ai theksoi se çdo individ, që përdor shërbimet e institucioneve financiare jo-banka duhet të ketë garanci për sigurinë e informacionit të tij.
“E shikoj pozitive, por në të njëjtën kohë duke patur parasysh edhe pjesën mbikëqyrëse kërkon dhe kujdes, sepse gjithmonë hapja e tregut është shumë pozitiv, por kjo duhet shoqëruar me vëmendje dhe kujdesin, që duhet ushtruar normalisht tek shtimi i këtyre aktorëve, që shkojnë përtej bankave.
Në fund të fundit, ai që do të përdori një prej këtyre institucioneve financiare jo-banka do duhet të hapin një llogari, të japi disa të dhëna dhe nëse nuk ka sistem sigurie së ruajtjes së të dhënave, çdo hap i marrë me shpejtësi mendoj se do kishte rreziqe shtesë, nëse hapat bëhen një nga një, me kujdes. Të ecet me hapa të kujdesshëm dhe gradualë. Ato që do të përfitojnë më tepër janë bizneset”, tha ai/abcnews.al

