Që prej fillimit të krizës politike në vend, Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin se mund të ndikojë edhe në ekonomi. Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, deklaroi këtë të mërkurë në Abc News se çdo acarim i situatës politike ka ndikime negative në ekonomi. Në emisionin “Byro Politike” nga Juli Xhokaxhi, Malaj nënvizoi se Banka e Shqipërisë nuk do të interferojë në ballafaqimin e brendshëm politik.
“E kemi ngritur këtë shqetësim që ka aktualisht vendi ynë. Ne nuk duam të interferojmë në ballafaqimin politik mazhorancë-opozitë, por nuk mund të ngurojmë që të japim mesazhin publik që çdo acarim i situatës politike dhe çdo zvarritja e zgjidhjes ka ndikime negative në ekonomi. Pastaj sa do jenë këto ato do jenë për t’u matur. Ne jemi në detyrimin emergjent të ndryshojmë mënyrën e qeverisjes së vendit nga qeverisja me statistika, nga qeverisja me emocion, nga qeverisje me telefon, në një qeverisje që duhet të bazohet në kërkimin shkencor sipas ministrive përkatëse. Është e detyrueshme dhe imediate që çdo dikaster të ketë departament të kërkimit shkencor, ku mund të gjesh shumë mirë të rinj të talentuar shqiptarë”, tha Malaj.
Eksperti i ekonomisë Vjold Danaj nga ana tjetër tregoi se si ndikon kriza politike në ekonomi. Ai u shpreh se situata aktuale mund të çojë në frenimin e investimeve, frenimin e konsumeve dhe largimin e shqiptarëve nga vendi.
“Ndikimet janë qoftë në frenimin e investimeve të bizneseve qoftë edhe shqiptare vendase duke e parë situatën jo të qartë dhe ecurinë e saj, asnjë biznes nuk e merr guximin të bëjë investime madhore në vend. Gjëja tjetër është frenimi i investimeve të huaja. Asnjë i huaj nuk mund të vijë në një vend që nuk ka stabilitet ekonomik. Problemi i pronës në Shqipëri është një problem madhor që ul ose kufizon investimet e huaja. Kjo situatë politike krijon këtë zymtësinë e situatë ekonomike e cila çon në frenimin e investimeve, frenimin e konsumeve dhe largimin e mëtejshëm të shqiptarëve. Aq më keq që ne kemi një mungesë të madhe edhe në pjesën e investimit në infrastrukturën e arsimit”, tha Danaj./abcnews.al