Ekspertët ligjvënësve: Tërheqja nga Afganistani ishte e gabuar

schedule20:51 - 22 Nëntor, 2020

schedule 20:51 - 22 Nëntor, 2020

Ekspertët amerikanë e cilësuan të gabuar vendimin për reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Afganistan nga 4 mijë e 500 në 2 mijë e 500 trupa. Ata i bënë komentet e tyre gjatë një dëshmie të premten në Kongres. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, sjell reagimet pas njoftimit për tërheqje, dhënë këtë javë nga Sekretari në detyrë i Mbrojtjes.

Pasi zëvendësoi disa nga drejtuesit kryesorë të Pentagonit, administrata e Presidentit Trump bëri një njoftim të rëndësishëm.

“Duke filluar nga 15 janari 2021, numri i trupave tona ushtarake në Afganistan do të jetë 2 mijë e 500”, njoftoi të martën Sekretari në detyrë i Mbrojtjes, Chris Miller.

Vendimi pothuajse përgjysmon numrin e trupave amerikane në Afganistan ndërsa kjo do të shënojë praninë më të vogël ushtarake të ShBA-së që nga fillimi i luftës në vitin 2001.

Por ndërsa bisedimet e paqes vazhdojnë, disa ekspertë paralajmëruan ligjvënësit se kjo lëvizje po zhbën avantazhin më të madh amerikan në negociata.

“Për mendimin tim, politika e tërheqjes njoftuar të martën ishte e gabuar. Vendimi i administratës është një variant i ngadalshëm dhe i kushtueshëm i dështimit”, thotë Stephen Biddle nga Këshilli për Marrëdhënie të Jashtme.

“Ne nuk po marrim asgjë në këmbim të tërheqjes. Ky është problemi me këto bisedime që nga fillimi. Duke biseduar me Talebanët pa praninë e qeverisë afgane, ata e dinin se ky është fillimi i negociatave për kushtet e dërozimit tonë“, tha Ruan Crocker, ish Ambasador amerikan në Afganistan.

Forcat amerikane mposhtën talebanët afganë më 2001 pas pushtimit që pati mbështetje të madhe publike e që pasoi sulmet terroriste të 11 shtatorit të kryera nga al-Kaida, udhëheqësit e së cilës po strehoheshin nga Talebanët. 19 vite më vonë opinion amerikan ndryshoi.

Zoti Trump fitoi zgjedhjet më 2016 me premtimin e tërheqjes nga konfliktet e huaja. Ligjvënësi Bradley Byrne thotë se njerëzit e distriktit të tij janë lodhur nga luftërat.

“Ata mendojnë se për 19 vite u vranë dhe plagosën mijëra amerikanë. Jetët e mijëra ushtarëve dhe grave të tyre u shkatërruan si dhe u shpenzuan miliarda e miliarda dollarë. Ndaj ata thanë mjaft. Ata me siguri mbështesin përpjekjen kundër terrorizmit. Pra nuk duan rikthimin e al-Kaidës”, tha Bradley Byrne, Ligjvënës republikan.

Por egziston një kontradiktë, thonë ekspertët, sepse ndryshe nga qeveria afgane që lufton al-Kaidën, Talebanët nuk kanë dhënë prova se nuk do të vazhdojnë të mbrojnë grupin terrorist.

“Për mua nuk është vetëm një çështje kundër terrorizmit, por edhe për parandalimin e përmbysjes së një qeverie”, tha Seth Jones nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Në mungesë të një marrëveshjeje paqeje, ekspertët dëshmuan se tërheqja e mëtejshme e forcave amerikane mund të zhvendosë ekuilibrin e pushtetit në fushatën ushtarake në favor të Talebanëve, duke ulur mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje paqeje.

Ndërsa Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka prioritet kryesor luftën kundër koronavirusit, është e paqartë se si do t’i trajtojë administrata e tij pasojat e mundshme të këtij vendimi./VOA