Ekspertët kundër heqjes së TVSH, ndryshimi i sistemit të taksave rrit evazionin në ekonomi

schedule19:35 - 12 Qershor, 2020

schedule 19:35 - 12 Qershor, 2020

Heqja e TVSH për biznesin e vogël do të  rriste më shumë nivelin e evazionit në ekonominë shqiptare. Ekspertët kontabël e kundërshtojnë nismën e qeverisë për të rishikuar sistemin e taksave duke hequr tatim-fitimin dhe TVSH.

Agim Binaj thekson se evazioni në ekonominë shqiptare është rreth 40 % dhe një vendim i tillë do të përkeqësonte edhe më shumë situatën. Ai sugjeron që TVSH të përshkallëzohet për produkte të ndryshme.

“Sot janë  65 mijë biznese me xhiro deri në 2 milion. Biznese të vogla sot të regjistruar mund të jenë 140 mijë biznese domethënë rreth 40 % të bizneseve i ke klasifikuar. E di çfarë mund të bësh ti duke rritur evazionin? E ka bërë ndonjëri pyetjen kryeministrit pse e kemi evazionin 40 deri 45 %. Pse BB thotë zgjerojë bazën e taksimit? Banka Botërore thotë zgjeroje, nga ana tjetër ai thotë do të heq taksat”, u shpreh ai.

Sotiraq Dhamo një tjetër ekspert i njohur kërkon që të ndërmerren të tjera politika për të ndihmuar biznesin. Sipas Dhamos impakti në buxhet do të jetë i konsiderueshëm pasi mbi 90% e bizneseve nuk do të paguajnë taksë.

“Duhet administrim tatimor dhe problem janë kufijtë e shkallëzimet pasi duhet sistem i përshtatshëm. Në vende të BE janë të shkallëzuara, por e rëndësishme është të ketë administratë të rregullt, jo si niveli që kemi ne”, tha ai.

Ndërkohë në lidhje me diskutimet e nisura së fundmi për një rritje të Tatim-fitimit për biznesin e madh  për të kompensuar humbjet nga TVSH e biznesit të vogël ,Binaj e konsideron të padrejtë .

“Nuk mund ta rrisë më tatim-fitimin më shumë se 15 % sepse këtu vërtitet i gjithë rajoni dhe bota. Interesin e ka te TVSH, sepse vijnë rreth 70% e të ardhurave”, u shpreh ai.

Për Dhamon nëse qeveria do rriste tatim-fitimi për biznesin e  madh  do të tregonte se në vend ndërmerren politika të pastudiuar ekonomike

“Në këtë kontekst mund të ngelesh me të njëjtat të ardhura dhe e kalon barrën te biznesi i madh, por a do ketë kjo sukses? Unë them jo. Politikat duhet të jenë të studiuara në nivelin mikro dhe makro”, tha më tej ai.

Burime bëjnë me dije se ditët e fundit  është hedhur ideja e rishikimit të nivelit të tatim-fitimit për biznesin e madh duke e rritur atë mbi 15%, që është aktualisht./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!