Ekspertët: Bota mund të parandalonte katastrofën e COVID-19

schedule13:40 - 12 Maj, 2021

schedule 13:40 - 12 Maj, 2021

Shkalla e katastrofës që ka shkaktuar pandemia e COVID-19 mund të ishte parandaluar, tha një panel i pavarur global.

Paneli i Pavarur për Gatishmërinë dhe Reagimin ndaj Pandemisë (IPPPR) tha se ka ekzistuar një “koktej toksik” i përbërë nga hezitimi dhe koordinimi i dobët duke bërë që shenjat paralajmëruese të mos dëgjoheshin.

Sipas ekspertëve të këtij paneli, një sërë vendimesh të këqija shkaktuan vdekjen e të paktën 3.3 milionë njerëzve, deri më tani, si dhe dëme shkatërruese në ekonominë globale.

Institucionet “nuk arritën të mbrojnë njerëzit” dhe liderët që mohuan shkencën e dëmtuan besimin e publikut në ndërhyrjen shëndetësore, tha IPPPR.

Raporti u kërkua nga vendet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në muajin maj të vitit të kaluar.

Paneli u drejtua bashkërisht nga ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Clark, dhe ish-presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, një laureate e Çmimit Nobel për Paqe më 2011.

Raporti thotë se bota ka nevojë për përmirësime në sistemin global të emergjencës në mënyrë që të parandalojë një katastrofë të ngjashme.

“Situata në të cilën gjendemi sot mund të ishte parandaluar”, u tha Sirleaf gazetarëve.

“Zgjedhje të dobëta strategjike, mosgatishmëria për të trajtuar pabarazitë dhe një sistem i pakoordinuar krijuan një koktej toksik i cili lejoi që pandemia të kthehej në një krizë katastrofike njerëzore”, tha ajo.

Për të trajtuar pandeminë aktuale, ajo u bëri thirrje vendeve më të pasura të dhurojnë një miliard doza vaksinash për vendet e varfra./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!