Eksodi në Venezuelë për shkak të krizës ekonomike që ka pllakosur vendin rrezikon të marrë përmasat e krizës migratore të Mesdheut në vitin 2015. Kombet e Bashkuara kanë dhënë alarmin në një kohë kur fqinjët e vendit latin po përpiqen të mbyllin kufijtë.
Agjencia e OKB-së për emigracionin ka paralajmëruar se Venezuela rrezikon të përballet me një krizë refugjatësh të ngjashme me atë të vitit 2015 në Mesdhe. Paralajmërimi vjen në një kohë kur vendet fqinje të saj po përpiqen të frenojnë fluksin e njerëzve që i largohen krizës ekonomike të Venezuelës. Mbi 2 milionë venezuelianë janë larguar nga vendi i tyre që prej vitit 2014 për shkak të situatës së rëndë ekonomike, e shoqëruar me mungesë të ushqimit, barnave dhe mallrave bazë. Disa qindra prej tyre kanë udhëtuar me autobus përmes Ekuadorit për në kufirin peruan, ku të shtunën kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për përforcimin e kontrolleve.
Mbi 2 mijë e 500 vetë kaluan kufirin për në qytezën peruane Aguas Verdes ditën e premte dhe mijëra të tjerë po përpiqen të arrijnë pikën e kalimit Tumbes, ku në javët e fundit kanë mbërritur rreth 3 mijë vetë në ditë. Aktualisht në Peru ndodhen 400 mijë emigrantë venezuelianë, shumica e të cilëve mbërritën në vend vitin e kaluar. Ligjet e reja u kërkojnë atyre të jenë të pajisur me pasaporta të vlefshme, pasi deri më tani u është lejuar të hyjnë në vend vetëm me kartat e identitetit. Rregulla të ngjashme u miratuan javën e kaluar në Ekuador, por të premten një gjykatë vendase vendosi se kërkesa që qytetarët venezuelianë të ishin të pajisur me pasaportë shkelte marrëveshjet rajonale për lëvizjen e lirë. Edhe shteti Roraima në Brazil u përpoq të mbyllte kufijtë, por sërish një gjykatë rrëzoi vendimin e autoriteteve./abcnews.al