Ekskluzive/ Vëllai i Talo Çelës u qëllua me 21 plumba nga 3 armë me silenciator, makinën e dogjën te shtëpia e policit

schedule21:00 - 17 Shtator, 2020

schedule 21:00 - 17 Shtator, 2020

Abcnews.al zbardh detaje të reja nga vrasja e Bujar Çelës mëngjesin e sotëm në Elbasan. Një burim nga grupi hetimor i tha Abcnews.al se Bujar Çela u qëllua nga tre lloje armësh tip pistoletë dhe mori 21 plumba në trup. Autorët e kanë qëlluar nga mjeti duke mos dalë jashtë.

Ai ka qenë i vetëm duke pirë kafen e mëngjesit në momentin që atentatorët e kanë qëlluar nga makina me 21 plumba duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa të shtënat nuk janë dëgjuar, pasi armët kanë qenë me silenciator.

Ka qenë ekspertiza e kryer që ka konfirmuar se trupin e 50-vjeçarit në pjesë të ndryshme e kanë përshkruar 21 plumba. Makina e autorëve, që dyshohet se kanë qenë më shumë se tre u gjet disa minuta më pas e braktisur dhe djegur në fshatin Murras buzë hekurudhës në Papër.

Makina tip “Renault” me targa të vjedhura në Rrogozhinë u gjet e djegur ngjitur me rrethimin e shtëpisë së një oficeri të drejtorisë së policisë Elbasan. Deri tani RENEA ka shoqëruar disa persona, por ende nuk ka asnjë të arrestuar. Pasditen e sotme në Elbasan ishte edhe drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu, që ishte mjaft i ashpër duke ngritur tonet përballë drejtuesve të Elbasanit.

Pjesë e punës për zbulimin e autorëve janë prokurori Kreshnik Ajazi dhe zyrtarë të lartë të SHISH-it. Ndërkohë që mbrëmjen e sotme në aksin Elbasan-Mengël RENEA u vendos në ndjekje të një makine, që nuk iu bind urdhrit të patrullës për të ndaluar duke u larguar me shpejtësi.

Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës u ekzekutua mëngjesin e sotëm rreth orës 05:45 minuta në rrethrrotullimin e Bradasheshit. Fillimisht të dhënat e para ishin se u qëllua 4 herë, por më pas nga ekspertiza rezultoi se ishin 21 plumba që i morën jetën.

Ai u vra jashtë një lokali ku po pinte kafen. Çela ishte person pa precedent penalë dhe punonte si taksist në të zezë, ndërsa ekzekutimi dyshohet se mund të jetë hakmarrje për aktivitetin kriminal të vëllait./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!