Partizani nuk dëshiron të gabojë si me Esat Malën. Drejtuesit e klubit të kuq janë vënë në lëvizje për të bindur sulmuesin Erald Çinari të nënshkruajë kontratën e re që tani. Klubi kryeqytetas e bleu sulmuesin anësor verën e shkuar dhe Vllaznia zbuloi edhe shifrën e paguar për transferimin e tij, që kapte shifrën e 30 mijë eurove.
Tashmë kanë nisur bisedimet për të nënshkruar kontratën e re. ABC News zbulon se Çinarit i është vënë në tavolinë kontrata e re, sigurisht e përmirësuar në aspektin financiar. Propozimi i klubit të Partizanit është që të vendoset edhe një klauzolë për largimin e tij.
Synohet që “liria” e sulmuesit shkodran të kushtojë minimalisht 200 mijë euro, ose maksimalisht 250 mijë euro. Palët po diskutojnë për detajet e kontratës dhe Çinari e ka në dorë të vendosë çfarë do të bëjë, do e nënshkruajë kontratën e re, apo do të presë.
Kontrata aktuale është e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2021 dhe nëse nuk pranon rinovimin, atëherë te Partizani do të duhet të punojnë për ta shitur shkodranin në përfundim të këtij sezoni futbollistik.
SHIFRAT E ÇINARIT – Sulmuesi nuk e kishte menduar se hapësirat për të një vit më parë do të ishin aq të pakta. Vetëm pesë ndeshje si titullar në kampionat me Skënder Gegën trajner, por shënoi gjashtë gola, madje dy prej tyre në derbin që riktheu titullin kampion pas 26 vitesh.
Ndryshimi i trajnerit solli më shumë minuta për Çinarin. Shkodrani ka luajtur sivjet në 15 ndeshje, 12 prej të cilave nga minuta e parë. Golat e shënuar në kampionat janë vetëm tre, por sulmuesi ka qenë një ndër më të spikaturit dhe jo më kot Partizani po tenton ta “blindojë” me një kontratë të re. / abcnews.al