Pas mbërritjes së dosjes së Nuredin Dumanit në SPAK, ABC ka siguruar videon e vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.
Fillimisht nga mediat u raportua se ai u ekzekutua nga një mjet në lëvizje dhe më pas u publikua një foto e njërit prej autorëve. Por dinamika e ngjarjes është krejtësisht ndryshe.
Krimi ndodhi në 17 shtator të vitit 2020, në një lokal në Bradashesh të Elbasanit. Siç shihet dhe në pamje, krimi ka ndodhur në orën 05:54 minuta të mëngjesit. Bujar Çela ndodhet i ulur në lokal nën shoqërinë e një tjetri personi.
Ngjitur me ta janë dhe persona të tjerë që qëndrojnë në dy tavolina. I gjithë krimi ka ndodhur për rreth 20 sekonda dhe kanë marrë pjesë 3 persona.
Autorët kanë qëlluar fillimisht në drejtim të Bujar Çelës nga një distancë rreth 5-6 metra. Më pas i afrohet njëri prej tyre, një i ri gjysmë i maskuar në fytyrë. Pas 2 sekondash vjen një tjetër person me kapele dhe me antiplumb.
Siç duket në këtë pamje, atij i bllokohet pistoleta dhe bën me shenjë që të afrohen shokët e tij për ta qëlluar. Rikthehet sërish pranë trupit të rrëzuar, personi i cili qëlloi i pari, por nuk kuptohet nëse i shkrep arma. Pas tij, një tjetër person i veshur me tuta sportive dhe me maskë qëllon disa herë dhe largohet.
Për këtë krim, akuzohet Nuredin Dumani. Sipas dosjes së SPAK, 20 minuta para vrasjes Dumani rezulton se furnizoi me karburant makinën, që u përdor në këtë ngjarje. Kjo provohet nga shenjat e gishtave të lëna në paratë që u ble karburanti.
Gjykata e Elbasanit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Nuredin Dumanin i akuzuar për vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës. Masa iu komunikua tek Spitali i Traumës. E njëjta masë iu dha dhe për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, si dhe të Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia, si dhe për ngjarjen e Papërit më 29 mars.
/Abcnews.al/