“Ekrani i Artit” vjen me edicionin e tij të gjashtë që do të zhvillohet në Shkodër në datat 31 Maj deri më 4 Qershor. Eventi disa ditor përmban një progam të pasur me shfaqje filmike, ekspozita, takime, dhe performanca muzikore. Artisti Adrian Paci ndau më shumë detaje rreth edicionit të këtij viti.
Në një intervistë për “News Line”, ai tha: “Do të sjellim për katër netë një program të ngjeshur me filma të shkurtër, të gjatë, eksperimentalë, nga artistë dhe regjisorë nga vendi dhe bota. Do të ketë edhe hapësira të tjera përtej kinemasë. Në Art House kemi dy projeksione.
Do të kemi një program me video art dhe filma të shkurtër në Galerinë e Artit të Shkodrës, një qendër rinore do të mirëpresë disa videoklipe të punuar nga artistë të arti viziv. Po ashtu kemi edhe një projeksion buzë liqenit ku do të kemi edhe konsertin përmbyllës të festivalit.”, shtoi artisti.
Këtë vit në fokus do të jetë filmi dhe video arti suedez. I pyetur për këtë përzgjedhje, ai tha: “Suedia është një vend me një traditë të fortë për filmin. Ka një arkivë shumë të pasur. Meqë kishim edhe Edi Mukën, menduam të kishim edhe një fokus si Suedia me një traditë kinematografike por edhe me një produksion bashkëkohor mjaft interesant.”