“Ekonomia u rrit 3.4 % në 2023-shin”/ Guvernatori i BSH, Gent Sejko: Rritja eksporteve dhe turizmit forcuan lekun

schedule13:20 - 28 Maj, 2024

schedule 13:20 - 28 Maj, 2024

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në Komisionin e Ekonomisë, raportoi lidhur me raportin vjetor të BSH.

Ndërsa foli për sistemin bankar, guvernatori i BSH, Gent Sejko theksoi se rreziqet e sistemi bankar mbeten të kontrolluara dhe sektori bankar shqiptar e mbylli vitin 2023 me një rezultat pozitiv.

“Sektori bankar shqiptar e mbylli vitin 2023 me një rezultat pozitiv. Rreziqet e sistemit bankar mbeten të kontrolluara. Investimi i vazhduar në vite ka forcuar rezistencën ndaj sektorit bankar ndër vite. Gjatë vitit 2023 kemi vijuar punën për forcimin e rrjeteve të sigurisë në sistemin financiar. Janë shënuar dy arritje vitin e shkuar, dalja e Shqipërisë nga lista gri përbën pikën më kulmore dhe është një arritje me rëndësi për vendin pasi tregon përkushtimin kundër korrupsionit dhe luftës kundër terrorizmit”, tha ndër të tjera ai.

Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të mëtejshme të ekonomisë gjatë viteve të ardhshme, e mbështetur nga rritja e konsumit, e investimeve, eksporteve, punësimit dhe pagave, si dhe stabilizim të inflacionit pranë objektivit prej 3 %.

Sejko tha se, “rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, i eksportit të shërbimeve të turizmit, politika fiskale në kah konsolidues, zgjerimi i kredisë bankare, inflacioni në rënie dhe rritja e shpejtë të të ardhurave nga turizmi”.

Duke iu referuar statistikave zyrtare, Sejko bëri të ditur se, “ekonomia u rrit me 3.4% në 2023, punësimi u rrit me 2.2%, ndërsa norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7% në fund të vitit. Niveli mesatar i pagave në sektorin privat u rrit 13% ndërsa inflacioni shënoi një rënie graduale, nga niveli 7.4% në fillim të vitit 2023 në nivelin 4% në fund të tij, dhe në nivelin 2.7% në tremujorin e parë të vitit 2024”.

Ai gjithashtu shtoi se forcimi i monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor ka ardhur si pasojë e përmirësimit të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, kryesisht të turizmit, remitancave dhe investimeve të huaja direkte.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!