Ekonomia shqiptare parashikohet të ketë një ecuri të qëndrueshme në vitet në vijim. Në kuadrin makroekonomik, qeveria vlerëson se për periudhën 2026-2028 ekonomia pritet të ketë një rritje prej 4 %.
Ekspertja për ekonominë, Eriola Hoxha tha në një intervistë për “Money Report” tha se trendi rritës i faturohet eksporteve dhe vlerës së lartë të investimeve, kryesisht atyre të huaja direkte.
“Kuadri makro ekonomiko fiskal për strategjinë afatmesme 2026-2028 theksin kryesor e ka përqendruar te ekonomia e qëndrueshme që kemi aktualisht dhe që do të jemi gjatë vitit që vjen. Parashikohet rritje e qëndrueshme dhe pozitive e ekonomisë në vlerë prej 4 për qind. Strategjia afatmesme mat politikat fiskale makro ekonomike dhe nxjerr në pah treguesit kryesore që e bëjnë një ekonominë të jetë e qëndrueshme për një periudhë të gjatë. Edhe pse në raport janë përmendur krizat që nga tërmeti, pandemia, ka theksuar se duheshin këto tre komponentë për të përballuar vështirësitë që sjellin në ekonomi krizat ndërkombëtare apo të brendshme. Gjatë vitit 2022 norma e rritjes së përgjithshme të ekonomisë ka qenë 4.8 për qind, në 2023 3.9 për qind ndërsa trendi rritës gjatë 2024 i faturohet eksporteve dhe vlerës të lartë të investimeve, veçanërisht atyre të huaja direkte.”, u shpreh Hoxha.
Po ashtu papunësia për herë të parë në një dekadë pritet të shënojë vlerë njëshifrore.
“Faktorët si papunësia, inflacioni, rënia e borxhit publik kanë një emërues të përbashkët dhe forcimi i lekut kundrejt euros kanë pasur ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë edhe në uljen e borxhit publik por edhe në inflacionit të çmimeve të konsumit, që ia faturojmë luhatshmërisë të kursit të këmbimit.“, u shpreh ekspertja./abcnews.al