Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa thotë se në vitin 2026, pritet vazhdimësi e ecurisë ekonomike.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Sefa u shpreh se ekonomia shqiptare duhet drejtuar te gjërat që dimë t’i bëjmë shumë mirë.
“Ajo që pritet edhe nga orientimi që duket nga buxheti i ri i 2026, i sapomiratuar, do kemi vazhdimësi të gjendjes së 2025. Nuk shoh as ndryshim thelbësor, por as dhe një tentativë për riorientim drejt ekonomisë prodhuese. Shpresoj që të mos ketë asnjë krizë apo luhatje botërore ose rajonale, e cila të na ndikojë, sepse do të na ndikojë shumë keq në ekonominë tonë. Dhe me shpresë që qeveria do të fillojë vërtet të ndërtojë projekte strategjike në aspektin e ndërtimit të avantazhit tonë krahasues kundrejt vendeve të rajonit të paktën, në atë që ne do i ofrojmë tregut të përbashkët evropian. Është një periudhë që e kemi një mundësi të madhe, por do duhet që ne të tregohemi të zgjuar dhe ta orientojmë ekonominë tonë në atë gjëra që vërtet ne do dimë t’i bëjmë shumë mirë dhe do t’i shërbejmë të gjithë tregut të BE. Janë 540 milionë qytetarë, me fuqi blerësi mbi mesatare. Nuk besoj se do e kemi më këtë mundësi. Koha për të vepruar është tani”, theksoi ai./abcnews.al

