Rënia e konsumit dhe kërkesës së brendshme në Kinë kanë bërë që ekonomia vendase të varet nga kërkesa e huaj. Sipas analistëve, kjo situatë tregon qartë se është fuqia aziatike ajo që ka më shumë nevojë për botën se sa bota për Kinën.
Nëse ka diçka që bota mund të përfitojë nga ekonomia e Kinës është fakti se superfuqia aziatike ka nevojë për botën më shumë se kurrë. Kështu thotë agjencia e lajmeve “Business Insider”, që i referohet shifrave të tremujorit të fundit të vitit 2017 për ekonominë kineze. Të dhënat tregojnë se në këtë periudhë, prodhimi i brendshëm në Kinë u ndal në kuotën 6.8 për qind.
Duke marrë në konsideratë faktin se shifrat jo gjithmonë tregojnë gjendjen reale, gjasat janë që ekonomia kineze të ketë ngadalësuar ritmet e saj nën presionin e kushteve të reja të imponuara nga qeveria. Grupi “Societe Generale” e ka vlerësuar situatën si një tregues të rritjes së fortë të kërkesës së jashtme dhe një dobësim të asaj të brendshme.
Sipas kompanisë franceze, kanë qenë pikërisht eksportet neto që kontribuan në rritjen e GDP-së së vendit gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që konsumi dhe investimet e brendshme janë në rënie që prej 2016-s.
Autoritetet kineze kanë marrë një sërë masah me qëllim që të shkëpusin sektorin financiar dhe korporatat vendase nga financimi i borxheve.
“Business Insider” sqaron se kjo nuk do të thotë se ligjvënësit i kanë “vënë shkelmin” ekonomisë, por ajo që kanë bërë, sado e vogël, tani po jep efektet e saj negative. Kjo e kthen shëndetin ekonomik të pjesës tjetër të botës në një faktor shumë të rëndësishëm për Pekinin, sepse teksa ekonomia e brendshme po dobësohet, “dragoi” do të varet nga kërkesa e jashtme për të ruajtur financat e tij. Gjithashtu, kjo do të thotë se planet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të kontrolluar importet nga Kina në Shtetet e Bashkuara mund të rezultojnë të dhimbshme nëse realizohen./abcnews.al