Shefja e delegacionit të Rumanisë, Iuliana Marciuc thotë se ajo nuk e kupton pse EBU-ja ndryshoi votimin e jurisë së tyre duke i dhënë 12 pikë Ukrainës në vend të Moldavisë që kishte vendosur. Ajo tha juria rumune kishte ndjekur të gjitha rregullat e përcaktuara nga EBU, dhe u befasuan kur rezultati i tyre u ndryshua.
“Telefonova Bukureshtin, kërkova që të më jepnin pikët sepse deri në atë moment nuk e dija dhe kërkova detaje se si ishte organizuar juria në studio. Mësova se ishte organizuar me të gjitha rregullat e vendosura nga EBU, me praninë e detyrueshme të një noteri, i cili mbërriti në studio përpara anëtarëve të jurisë.
Anëtarët e jurisë nuk mund të komunikonin me njëri-tjetrin. Ata nuk mund të flisnin. Secili person nënshkroi fletën e tij të jurisë. Ata nuk e panë as rezultatin përfundimtar të jurisë. Ne nuk e dimë se cili është problemi me votimin tonë të jurisë.”, është shprehur ajo, raportojnë mediat vendase.
Ajo thotë gjithashtu se kanë marrë një email nga EBU vetëm të shtunën në mbrëmje, pasi kanë kërkuar sqarime në lidhje me mospërputhjet e jurisë. Marciuc tha gjithashtu se ka kërkuar një përgjigje zyrtare nga EBU për këtë situatë por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Nuk kam marrë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me dyshimet që kanë të bëjnë me gjysmëfinalen e dytë. Ky email u mor rreth 30 minuta pasi producenti ynë kërkoi operatorin e votimit për këtë mospërputhje. Kështu mësuam se 12 pikët e dhëna Moldavisë iu dhanë nga ne Ukrainës”.
Por të shtunën mbrëma, gjatë finales së madhe, Unioni Evropian i Transmetuesve dha një deklaratë, përmes së cilës theksonte se ishin vënë re disa “modele të parregullta votimi” nga gjashtë vende pjesëmarrëse pas provave të dyta për gjysmëfinalen e dytë.
Votat e tyre të jurisë u anuluan dhe u zëvendësuan me “një rezultat zëvendësues për secilin vend në fjalë si për gjysmëfinalen e dytë ashtu edhe për finalen e madhe (llogaritur në bazë të rezultateve të vendeve të tjera me të dhëna të ngjashme votimi).”, thuhej në deklaratë.
Votat nga Azerbajxhani, Gjeorgjia, Mali i Zi, Polonia, Rumania dhe San Marino u zëvendësuan të gjitha me rezultatin e ri. Në fakt, përfaqësuesit e tre prej këtyre vendeve nuk dolën live për të dhënë pikët në finale por u bënë me dije nga mbikëqyrësi i festivalit, Martin Österdahl.
Kjo u raportua si një problem teknik por si duket kishte të bënte me tentativat për të manipuluar rezultatin. Pikët e Gjeorgjisë, Rumanisë dhe Azerbajxhanit u dhanë nga Martin Österdahl dhe jo nga përfaqësuesit e vendeve, siç veprohet çdo vit me të gjitha shtetet. /abcnews.al