Liverpool arriti një fitore shumë të rëndësishme kundër Tottenham dhe tashmë të besuarit e Jurgen Klopp rimorën kreun e Premier League. Trent Alexander-Arnold është shprehur shumë i lumtur pas fitores si dhe deklaroi se ata e meritonin. Mbrojtësi anësor nuk i kurseu as postimet në rrjetet sociale, si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Mourinhos.
“Ishte një ndeshje që na duhej ta fitonim, pasi lamë pikë në fundjavë. Është një periudhë intensive dhe të gjithë ekipet po lënë pikë. Mendoj se ne duhet të përfitojmë nga kjo situatë dhe nuk ka asnjë mënyrë më të mirë për të bërë këtë se sa të mposhtim ekpin kryesues. Ishte e vështirë të krijonim shanse, por e dinim që na priste një ndeshje e tillë kundër një ekipi si Tottenham”, deklaron anglezi.
“Jemi të lumtur që morëm tre pikët, pasi i meritonim. Ne ishim ekipi më i mirë në fushë. Titulli? Jemi ende larg, pasi kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Presim që të jemi një nga ekipet pretendente dhe këtë gjë e kemi treguar në tre sezonet e fundit”, përfudon Arnold, i cili ishte një nga më të mirët në duelin e djeshëm. /abcnews.al