Ekipi i Mueller “shpëton” nga burgu ish-këshilltarin e Trump

schedule23:20 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 23:20 - 5 Dhjetor, 2018

Për presidentin Trump, telashet që po i shkaktojnë ish-bashkëpunëtorët e tij nuk kanë të sosur. Pas ish-avokatit personal Michael Cohen, ish-këshilltari i tij për sigurinë kombëtare duket se ka hapur gojën dhe u ka dhënë detaje të rëndësishme hetuesve të ndërhyrjes ruse.

Ekipi i posaçëm që po heton ndërhyrjen e përfolur ruse në zgjedhjet e vitit 2016 do të insistojë që ish-këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Flynn, të mos dënohet me burg. Flin ka pranuar se ka gënjyer FBI-në, por në një memorandum prokurori Robert Mueller deklaron se ish-zyrtari ka ofruar detaje të dobishme mbi lidhjet mes stafit elektoral të Trump dhe zyrtarëve rusë. Memorandumi, të cilit i referohen mediat amerikane, paralajmëron se hetimet mbi skandalin e njohur si “Russiagate” mund të hapin telashe për presidentin amerikan në një të ardhme të afërt.

Trump e ka quajtur disa herë hetimin një gjueti shtrigash dhe mohon që të ketë pasur një mpleksje mes ekipit të tij dhe rusëve, në përpjekje për të siguruar fitoren në zgjedhje. Por, rekomandimi që ish-këshilltari Flynn të mos burgoset tregon se pozitat e shefit të Shtëpisë së Bardhë mund të komplikohen, sidomos nëse ish-anëtarë të tjerë të stafit të tij thirren për të dëshmuar nga Mueller.

Dënimi ndaj zotit Flynn pritet të shpallet nga gjykata amerikane më 18 dhjetor dhe zyra e prokurorit Mueller e publikoi memorandumin që të shërbejë si një udhërrëfyes në vendimin e trupës gjykuese. Deri më sot, Flynn është i vetmi ish-anëtar i administratës Trump që deklarohet fajtor në kuadër të hetimeve mbi ndërhyrjen ruse, konkretisht për dëshmi të rremë përpara agjentëve të FBI-së. Në pranimin e fajit, ai tha se kishte diskutuar me ambasadorin rus në Uashington heqjen e sanksioneve përpara se Trump të merrte zyrtarisht detyrën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!