Egbo: Zoti i pari, ai të bën të mendosh si duhet! Ja si fitohet derbi

schedule13:59 - 27 Shkurt, 2020

schedule 13:59 - 27 Shkurt, 2020

Emanuel Egbo, ashtu si para çdo ndeshje, tregohet i matur në deklaratat e tij. Edhe pse mposhtën Kukësin me përmbysje, nigeriani nuk fluturon para derbit me Partizanin. “Nuk ndryshon asgjë fakti që kemi fituar disa ndeshje radhazi. Kjo është ndeshje e radhës për ne dhe do futemi në lojë si në çdo ndeshje tjetër. Është e njëjta ndeshje si me të tjerat”, tha fillimisht trajneri i bardhebluve.

Më pas Egbo flet për situatën në skuadrën e tij: “Lojtarët janë të qetë, nuk është ndeshja e parë që luajnë një derbi. Ata janë me këmbë në tokë dhe do japin maksimumin në fushën e lojës”. Nigeriani e nisi aventurën e tij në krye të Tiranës në derbi dhe nga ai takim kanë ndryshuar shumë gjëra.

“Lojtarët kanë fituar ndeshjet, duke dhënë më të mirën e tyre. Ka vetëbesim, harmoni dhe ka shumë gjëra pozitive. Çunat, nëse futen në fushë dhe japin maksimumin, atëherë do marrim atë që meritojmë”, shton Egbo.

 

Trajneri i Tiranës e ka përsëritur shpesh që Zoti ka dorë te Tirana e tij, duke shmangur meritat e tij. “Zoti ka meritën i pari. Zoti është ai që të bën ty të mendosh në mënyrën e duhur. Nëse nuk e ke Zotin në krah, gjërat nuk bëhen ashtu siç do ti. Veprat e tij nuk krahasohen me veprat e njeriut. Nëse jep më të mirën, Zoti do shohë dhe do të japë atë që do ti”, thotë ish-portieri.

Fjala frikë nuk ekziston në fjalorin e tij, edhe pse përballë do kenë Partizanin kampion në fuqi: “Frikë nuk kemi. Mendoj vetëm për ekipin tim. Nëse japim atë që kemi bërë deri tani, atëherë do të marrim maksimumin”.

Një fitore në derbi është pozitive, por Egbo e sheh vetëm si një takim që vlen tre pikë. Ai flet edhe për mungesat. “Kampionati është ende shumë i gjatë, ka edhe shumë ndeshje. Kjo ndeshje ka vetëm tre pikë, si në çdo takim tjetër. Normalisht që te morali ndikon, por skuadra e ka krijuar mentalitetin tashmë. Kale dhe Torassa? Mendoj që çunat do jenë gati deri nesër. Çdo lojtar brenda ekipit është i rëndësishëm”, përfundon Egbo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!