Egbo: Nuk ua tregoj strategjinë, jo! Jam sqaruar me presidentin Halili

schedule15:59 - 20 Shkurt, 2020

schedule 15:59 - 20 Shkurt, 2020

Tirana kërkon fitoren ndaj Kukësit të vendit të parë, por trajneri Emanuel Egbo nuk dëshiron ta vendosë skuadrën e tij në presion. Nigeriani doli sot para mediave dhe foli për përballjen me verilindorët. “Tifozët janë tifozë, ne jemi sportistë. Nuk duhet të mendojmë si tifozë. Duhet të futemi në fushë dhe të japim 100% tonë. Të tria rezultatet janë brenda. Do tentojmë të japim maksimumin dhe shpresojmë në fund të marrim atë që duam”, u shpreh fillimisht Egbo.

Gripi ka qenë armiku i Tiranës këto ditë. Ngoo, Halili, Hasani dhe Morina kanë pasur probleme me virozat e stinës, por Egbo jep shpresa se ata do të jenë gati për ndeshjen. “Ngoo? “Edhe tre të tjerët kanë bërë pak vrapim sot. Mendoj që nesër ata do jenë gati për ndeshjen”.  Më pas ai është pyetur për strategjinë që Tirana do të përdorë kundër Kukësit.

“Kemi strategjinë tonë, duhet të kemi grintë, durim, mosdorëzim, sakrificë. Atë duhet të bëjë ekipi im. Nuk e di çfarë ka kundërshtari, pasi flas për ekipin tim”. Ne e dimë si skuadër se çfarë do të bëjmë. Nuk kam për të nxjerrë strategjinë time për nesër, ajo do duket në fushë”, shtoi Egbo, të cilit i është kujtuar deklarata e Halilit për zëvendësimet e bëra në takimin me Skënderbeun.

 

Refik Halili

“Nuk ka asnjë presion. U takuam dhe u sqaruam. Ai ka reaguar pas ndeshjes, e kuptoj çfarë ka thënë. Ai nuk është se ka folur keq. Është çdo gjë brenda familjes, nuk ka asnjë presion dhe asnjë problem. Nuk kam parë asnjë kritikë, nga ato që ka thënë presidenti. Jemi të qetë, dhe jemi një klub i qetë. Duke filluar nga presidenti deri të punëtori i fushës, jemi të qetë. Në fund të kampionatit do të bëjmë llogaritë tona”, shprehet nigeriani.

Tirana, pas Kukësit luan me Partizanin. Egbo as që do të mendojë për derbin tani.“Kemi ndeshje me Kukësin, pastaj do flasim për ekipin tjetër. Nuk e di fare me kë e kam ndeshjen tjetër, kur të mbarojmë këtë me Kukësin do të shohim kalendarin dhe do të përgatitemi”, shprehet Egbo, i cili ka theksuar se nuk i ndërhun askush për formacionin.

Ecuria pozitive ka bërë që situata në kampin bardheblu të jetë e mirë. Egbo thotë: “Janë të njëjtët lojtarë që kanë marrë këto rezultate dhe kjo ka bërë të rritet uniteti, harmonia, vetëbesimi, uria. Ekipi ka krijuar një identitet, që dhe barazimin e quan një rezultat jo të mirë. Kam besim te grupi dhe çdo lojtar që futet kam besim se do japë maksimumin. Me ndihmën e Zotit do marrim atë që meritojmë. A do i hiqja ndonjë lojtar Kukësit? Nuk dua të përmend emra fare. Unë si trajneri i Tiranës flas për ekipin tim”, tha në mbyllje trajneri i Tiranës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!