Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës me Teutën dhe jo vetëm. Nigeriani e nisi në krye të bardhebluve në “Air Albania Stadium”, ku theu mallkimin e derbit duke mundur Partizanin. Tani rikthehet në të njëjtin stadium dhe synohet triumfi ndaj durrsakëve.
“Që të ketë sa më shumë tifozë, mendoj se klubi ka vendosur të luhet në këtë stadium. Shpresoj të jenë pranë ekipi në këtë ndeshje të rëndësishme dhe të na mbështesin gjatë gjithë lojës”, u shpreh Egbo fillimisht, ndërkohë që më tej ai thekson se ekipi i tij është me këmbë në tokë, edhe pse i ka fituar pesë takimet e fundit në kampionat.
SITUATA NË EKIP – “Mendoj se çunat janë me këmbë në tokë. Kemi folur gjatë gjithë kohës me njëri-tjetrin. Të gjithë e dimë që kampionati është shumë i gjatë dhe nuk ka mbaruar asgjë. Kemi fituar vetëm pesë ndeshje, në fund të kampionatit bëhen llogaritë. Do i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës, sikurse kemi bërë deri më tani. Çunat janë gati dhe për fat jemi në rregull”.
AFRIMI I QENDËRMBROJTËSIT – Tiranës i duhej një qendërmbrojtës dhe Egbo shprehet se e kanë marrë një lojtar për atë pozicion: “E kemi marrë qendërmbrojtësin. Nuk është hera e parë që më pyesni për këtë. Sidibe luan edhe mesfushor qendre, edhe qendërmbrojtës. Në Kupë luajti me Muçën në qendër të prapavijës”.
RIVALI I RADHËS – “Mbrojtja e mirë e Teutës? E kemi vlerësuar kundërshtarin. Teuta është një nga ekipet më të mira të kampionatit. Të gjitha janë të forta. Ata janë me meritë në vendin e tretë, kanë pësuar pak gola dhe janë në ekuilibër. Janë ekip për t’u pasur në konsideratë. Ne do tentojmë të marrim maksimumin e pikëve Barazimet me Teutën? Ne do përgatitemi. E kemi menduar strategjinë, nuk ka nevojë ta shpjegoj këtu. Do tentojmë me të gjitha mundësitë tona të fitojmë”.
STOLI DHE BRUNO DITA – “Është një armë plus, kemi kërkuar të kemi sa më shumë lojtarë për ndeshje. Hasani akoma nuk është 100%. Javën tjetër do e shohim me kujdes. Çdo lojtar është shumë i rëndësishëm, në fushë ose jashtë. Dita? Një lojtar plus është i mirë për ekipin. Ne flasim për ata që i kemi. Nëse Dita do ishte këtu, do flisnim për të. Jemi në rregull deri diku me ata lojtarë që kemi.
MBËSHTETJA E FANSAVE – “Tifozët kanë qenë gjithmonë lojtari i 12-të i ekipit. Shpresoj të vazhdojnë ashtu si kanë qenë dhe t’u japim atyre kënaqësinë të vijnë në stadium dhe të na shohin duke fituar ndeshjet. Shpresoj të jenë gati të ndihmojnë ekipin”, përfundoi Egbo. /abcnews.al