Triumfi në derbi ka rritur moralin te Tirana, gjë që e pranon edhe trajneri Emanuel Egbo. Nigeriani, doli sot para mediave dhe fillimisht deklaroi: “Fitorja në derbi do të japë një impuls tjetër në vazhdimësinë e kampionatit. Është një avantazh dhe motiv për lojtarët, që të japin 100% në ndeshjet në vazhdim”.
Ndeshja e nesërme, kundër Flamurtarit, do vlerësim. “Flamurtari, jo vetëm që na ka marrë neve pikë, por nuk është as ekip i vogël në kampionatin shqiptar. Të gjitha ekipet janë aty-aty. Flamurtari na ka marrë pikë ne, i ka marrë Partizanit, Bylisit. Nuk është ekip i vogël. Kanë lojtarë me përvojë që kanë luajtur në kampionatin shqiptar si Sukaj, Gocaj dhe të tjerë”.
Egbo është i qartë për atë që duhet të bëjë ekipi i tij: “Nuk është se i druhem surprizave, në qoftë se çunat do futen në fushë dhe do luajnë siç kanë luajtur kundër Partizanit, me përqendrim thjeshtësi dhe dublim. Nuk besoj se do të kemi shumë probleme. Duhet të shohim veten tonë, nuk duhet të merremi me kundërshtarët”.
Ngoo ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, kurse Dunga është i dëmtuar. Gjithsesi trajneri i Tiranës nuk shqetësohet. “Gol mund të shënojë çdo lojtar. Nuk janë vetëm sulmuesit ata që shënojnë, sikur nuk janë vetëm mbrojtësit që mbrojnë. Mbron gjithë ekipi bashkë dhe sulmojnë të gjithë së bashku”.
Kanë mbetur edhe dy ndeshjet për t’u luajtur këtë vit dhe Egbo shton: “Do i marrim ndeshjet një nga një. Do mbarojmë ndeshjen me Flamurtarin, më pas do flasim për sfidën ndaj Laçit. Është shumë e rëndësishme që të fitojmë dhe të jemi brenda objektivave që kemi vendosur në fillim të sezonit. Një fitore ndaj Flamurtarit do na mbajë aty ku duhet të jemi”.
Egbo ka edhe recetën për titullin:”Duhet që lojtarët të jenë më shumë grup. Nuk kanë vlerë emrat, në qoftë se nuk janë të bashkuar dhe nuk merren vesh njëri me tjetrin. Do jetë e vështirë gjithmonë. Vetëm kjo mungon. Duhet shpirti i garës, duhet të luajnë në fushë si vëllezër, ta orientojnë njëri-tjetrin:.
Gazetarët i kanë kujtuar nigerianit italianin Di Matteo, i cili mori përkohësisht drejtimin e Chelsea dhe fitoi Champions League. A mund ta fitojë Egbo titullin? Trajner i bardhebluve thotë: “Do flasim, duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Pastaj të shikojmë gjatë rrugës si do të shkojë. Emanuel do të thotë “Zoti me ne”. Këtë e pashë në ndeshjen ndaj Partizanit, Zoti ishte me ne. Zoti na ka parë nga sipër, prandaj kemi fituar atë ndeshje”. /abcnews.al