Tirana shënoi dy gola të shpejtë me anë të Muçit dhe Hoxhallarit, përmbysi humbjen 2-1 në Ballsh dhe u kualifikua në finalen e Kupës së Shqipërisë. Trajneri i bardhebluve, Emmanuel Egbo foli pas ndeshjes për Supersport, duke prekur disa tema të ndryshme.
Ekipi kryeqytetas mund të fitojë titullin dhe kampionatin, diçka që nuk ndodh prej vitit 1999, por nigeriani nuk e ka mendjen te statistikat dhe rekordet. Në fund një koment rreth së ardhmes, me Egbo që mendon se shumica e lojtarëve duhet të jenë sërish pjesë e Tiranës për sezonin e ardhshëm.
KUALIFIKIMI – “Mendoj se me këtë ndeshjen e sotme dhe kualifikimin, kemi arritur të bindim të gjithë ata që folën për ndeshjen e parë. Sot i kemi mbyllur gojën të gjithë atyre që na kanë sulmuar pas ndeshjes së parë gjysmëfinale”.
NDESHJA – “Ne bëmë dy gola në pjesën e parë. E dinim që Bylisi do të tentonte të shënonte golin që do sillte barazimin dhe shtesat. Tentuam të qëndronim në ekuilibër, të rrinim afër njëri-tjetrin dhe të shfrytëzonim gabimin e tyre, por nuk ia dolëm të shënonim golin e tretë”.
NDRYSHIMI – “Sot ka qenë pak freskët, por të dy ekipet ishin të lodhura, sidomos në pjesën e dytë. Ritmi ishte i ulët, lojtarët i kapi ngërçi, shtriheshin në tokë. Nuk kam objektiv personal, kam vetëm objektivin që është vendosur në fillim të sezonit: fitimi i titullit dhe Kupës. Objektivi im personal është ky: të ecë Tirana sa më lart“.
ARRITJA – “Kemi arritur në finale, do luftojmë për të fituar Kupën. Një arritje për të gjithë klubin dhe shpresojmë të bëjmë ndeshjen që na takon, të japim 100% dhe të fitojmë Kupën e Shqipërisë”.
E ARDHMJA – “Në këtë moment po bëjmë dublime, sidomos prej faktit që disa lojtarë janë të lodhur prej ndeshjeve të shumta. Po merremi me menaxhimin e lojtarëve, në fund të sezonit do të marrim vendime rreth së ardhmes. Në çdo ndeshje i shohim mirë lojtarët që aktivizojmë”.
REKORDI – “Nuk shoh statistika, nuk jam një njeri që numëroj dhe merrem me gjëra të tilla. I lë gjithçka Zotit në dorë, mendoj të japim 100% në fushë dhe nuk mendoj për rekordet”.
KONTINGJENTI – “Shumica e lojtarëve duhet të jenë edhe në sezonin e ardhshëm. Ata e sollën deri këtu këtë klub, përjashto lojtarët që nuk duan të rinovojnë ose duan të largohen. Unë i kam thënë klubit që shumica duhet të jetë edhe sezonin e ardhshëm”. /abcnews.al