Emanuel Egbo do të drejtojë Tiranën dhe tashmë ka ardhur edhe njoftimi i klubit bardheblu. Në njoftimin e bërë në faqen zyrtare në “Facebook” thuhet se nigeriani është një trajner me eksperiencën e duhur për të drejtuar Tiranën.
“Emanuel Egbo do të vijojë në krye të Tiranës. Trajneri bardheblu gëzon besimin e plotë të presidentit, klubit dhe skuadrës për të marrë zyrtarisht drejtimin. Pas tre ndeshjeve me të në krye, klubi ka vendosur ti besojë deri në përfundim të sezonit pankinën bardheblu.
Një zgjedhje brenda familjes për të synuar objektivat sezonale. Egbo prej gjashtë vitesh është pjesë e stafit teknik të Tiranës ndërkohe që ka eksperiencën e duhur dhe kualifikimet përkatëse për të drejtuar skuadrën”, shkruhet në njoftimin e bërë.
Egbo pason kështu Julian Ahmatajn, i shkarkuar pas humbjes së pësuar me Kukësin. Nigeriani i drejtoi bardheblutë në tre ndeshjet e fundit të vitit, teksa ia doli të triumfonte në derbi kundër Partizanit, ndaj Flamurtarit dhe më pas kundër Laçit në transfertë. /abcnews.al