Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo, foli menjëherë pas fitores 5-1 kundë Luftëtarit për Supersport, aty ku analizoi këtë sfidë, shpjegoi zëvendësimin e Hoxhallarit, si dhe informoi mbi gjendjen e Sidibe.
NDESHJA – “Ndeshja e sotme ishte e vlerësuar në maksimum. Luftëtari tregoi që është ekip që nuk duhet marrë lehtë kundër Kukësit. E kam thënë gjithmonë se në Superiore nuk ka ekip të vogël ose të madh, kush vrapon më shumë fiton. Sot e kemi vlerësuar ndeshjen e sotme si 6 pikë, jo si 3 pikë”.
RENDITJA – “Nuk shoh pozicionin në renditje, do e shikoj kur të mbarojë kampionati. Ne luajmë gjithmonë për fitore, në fund do të bëjmë llogaritë”.
FORMACIONI – “Duke parë si po shkon kampionati, kemi menduar të rifreskojmë ekipin pak me disa ndryshime në formacion. Na duhet çdo lojtar në këtë fazë kampionati. Vangjeli kishte një problem të vogël, menduam të mos e ngarkojmë. Torassa gjithashtu. Ne kemi kontingjent në ekip dhe do ta menaxhojmë sa më mirë”.
HOXHALLARI – “Ishte nervoz, prandaj e zëvendësuam që në pjesën e parë. Kishte marrë karton dhe nuk kishim nevojë të rrezikonim.
KUKËSI-PARTIZANI – “Unë e kam thënë gjithmonë se shoh vetëm ekipin tim, ajo ndeshje të dalë si të dalë. Unë shoh Tiranën dhe bëjmë llogaritë tona”.
SIDIBE – “Çdo ndeshje ka specifikën e vet, do të shikojmë si është ndeshja dhe do të vendosim për formacionin. Do të shohim edhe Sidiben kur të fillojë stërvitjen, do të jetë gati apo jo. Ai po vjen nga jashtë dhe duhet të mësohet me ekipin, pastaj do të shohim ku do e aktivizojmë”, tha Egbo./abcnews.al